Në vazhdën e përkrahjes së Rusisë për Vuçiqin sa i përket Kosovës, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka pretenduar se në vend të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Berlini dhe Parisi tani po propozojnë një iniciativë të re që “nuk u jep asnjë të drejtë serbëve në Kosovë”, shkruan gazeta serbe “Politika”.
Lavrov ka thënë se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe Marrëveshjet e Minskut “parashikojnë të njëjtat të drejta për serbët në Kosovë dhe rusët në Donbas”.
Ministri rus përkujtoi fjalët e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, se rusët nuk kanë çfarë të kërkojnë në Ballkan dhe se të gjitha kontaktet e Moskës me Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit duhet të ndërpriten plotësisht.
Ai ka thënë se në vitin 2013, në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, liderët e Serbisë dhe Kosovës nënshkruan një dokument për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Megjithatë, askush nuk dëshiron ta realizojë këtë. BE-ja tashmë e ka kuptuar se shqiptarët në Prishtinë, tashmë kanë paralajmëruar publikisht se nuk do ta bëjnë këtë. BE-ja tashmë ka treguar pafuqi. Franca dhe Gjermania e gëlltitën fyerjen dhe propozojnë një iniciativë të re që nuk u jep asnjë të drejtë serbëve në Kosovë, por kërkon nga Beogradi: nuk doni ta njihni pavarësinë e Kosovës, nuk jeni të detyruar, vetëm pranoni që Kosova, që ju nuk e njihni, të hyjë në organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, Këshillin e Evropës etj.”, ka pretenduar ai.
Lavrov ka theksuar se të drejtat e serbëve në Kosovë janë të përcaktuara me marrëveshjen për Asociacionin.
Në këtë dokument thuhet e njëjta gjë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si në Marrëveshjet e Minskut, vetëm se në rastin e Kosovës bëhej fjalë për të drejtat e serbëve, ndërsa në marrëveshjet e Minskut për të drejtat e rusëve në Donbas. Të njëjtat të drejta u parashikuan si në marrëveshjet e Minskut: e drejta e gjuhës, arsimi rus, e drejta për të formuar policinë e vet, e drejta për të votuar në emërimin e gjyqtarëve, e drejta për lidhje ekonomike preferenciale me rajonet fqinje”, përfundon Lavrov, duke mos përmendur se mu për shkak të Donbasit dhe rajoneve përreth Rusia filloi luftën e përgjakshme në Ukrainë të përcjellë me krime të shumta lufte dhe kundër njerëzimit.