Ish-kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka reaguar pas deklaratave lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Mustafa ka reaguar pasi që sot nga Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se kanë frikë që Qeveria Kurti do ta pranojë këtë Asociacion, ndërkaq nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se këto deklarata po bëhen pikërisht nga ata që dikur vetë e nënshkruan këtë marrëveshje.
E me këtë rast ish-kreu i LDK-së tha se në kohën kur është nënshkruar marrëveshja e parë dhe ratifikuar në Prishtinë, ai nuk ishte kryeministër.
“Në kohën kur është nënshkruar Marrëveshja e Parë në Bruksel dhe është ratifikuar në Kuvend në Prishtinë, (e cila ka sanksionuar themelimin e Asociacionit), Isa Mustafa nuk ka qenë Kryeministër i Kosovës. Prandaj rrjedhimisht dezinformojnë dhe gënjejnë të gjithë ata që ma përshkruajnë mua Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit”.