Një zyrtar policor raportohet të jetë lënduar në protestën qe po mbahet në oborrin e Kuvendit, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë kësaj proteste është lënduar një protestues.
Anëtarë të njësive policore po tentojnë të mbajnë rendin në oborrin e Kuvendit, derisa policia pak më herët ka përdorur edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.
Veteranët janë duke tentuar që të hyjnë brenda objektit të Kuvendit. Ata po kundërshtojnë mos përfshirjen e veteranëve në Projektligjin për Pagat.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka dalë para protestuesve duke u munduar t’i qetësojë veteranët e UÇK-së.
“Ju keni të drejtë në çdo gjë, por një gjë ta dini, mos gaboni t’i dëmtoni këto institucione. Këta policë që janë të detyruar ta mbrojnë institucionin, janë tanët. Nuk është dashur t’iu nxjerrin në rrugë”, ka thënë Berisha.