Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se shumica e vendeve të Bashkimit Evropian (BE), e përkrahin deklarativisht liberalizimin e vizave për Kosovën.
Vela ka thënë se asnjë nga shtetet anëtare të BE-së, që kanë folur në Samitin e BE-së, nuk është shprehur kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Në këtë takim ka pasur përkrahje për Kosovën, nga vendet anëtare, jo vetëm për çështjen e liberalizimit të vizave, por edhe për qëndrimin e Kosovës ndaj luftës në Ukrainë, dhe për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, gjë të cilën nuk e bëjnë të gjitha vendet e rajonit”, ka thënë ai për RTV Dukagjinin.
Tutje, Vela deklaroi se në Samitin e së enjtes, nuk ka mundësi të merret vendim dhe se përveç deklarimeve përkrahëse pret nga vendet e BE-së që të marrin vendime.
Në fjalimin e saj të mbajtur në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian me ata të Ballkanit Perëndimor, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bëri thirrje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke kërkuar mbështetjen e shteteve anëtare, që të japin një mesazh të qartë sot.
“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë. Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit,” deklaroi Osmani.
Në fjalimin e publikuar të plotë në Facebook, Osmani rikonfirmoi gjithashtu qëllimin e Kosovës për të aplikuar këtë vit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.