Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu ka reaguar pas raportimit në media se ai ka aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkruan Kosova Post.
Aliu thotë se këtë rast për herë të parë e ka dëgjuar nga mediet sot dhe ka ndërmarrë hapat për ta konfirmuar këtë çështje.
“Unë nuk kam qenë dhe akoma zyrtarisht nuk jam në dijeni për asnjë aktakuzë që ekziston ndaj meje”, ka shkruar ai.
Ky është njoftimi i plotë:
Pas lajmit që pashë sot në disa media në lidhje me gjoja akuzimin tim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë kohës sa kam qenë Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, ndjehem i obliguar të ndaj këtë reagim.
Unë për këtë rast kam dëgjuar për herë të parë nga mediat sot. Marrë parasysh këtë, e kam të pamundur të komentoj mbi substancën e rastit, por mund të them disa fjalë mbi procesin e munguar.
Me të lexuar lajmin, kam ndërmarrë hapat e duhur për të konfirmuar këtë çështje.
Unë nuk kam qenë dhe akoma zyrtarisht nuk jam në dijeni për asnjë aktakuzë që ekziston ndaj meje. Asnjëherë nuk jam kontaktuar as nga Prokuroria, as nga Gjykata për t’u informuar në mënyrë zyrtare se ekziston ndonjë aktakuzë e ngritur kundër meje. Ngritja e aktakuzës (nëse diçka e tillë është e vërtetë) pa njoftimin tim si palë, është shkelje e procedurës. Dhe për këtë unë do të kërkoj përgjegjësi.