Grupi i vendeve të pasura perëndimore ka kërkuar të rrisë presionin ndaj Moskës, ndërsa përpiqet të minimizojë çdo dëm që mund t’i vijë ekonomive të tyre. Çmimet e naftës janë rritur që kur Rusia nisi luftën e saj kundër Ukrainës më 24 shkurt pasi sanksionet kufizojnë eksportet ruse të lëndëve të para.
Shumë vende perëndimore dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur tashmë disa paketa sanksionesh gjithëpërfshirëse kundër Moskës për të izoluar presidentin Vladimir Putin dhe për të gjymtuar ekonominë e Rusisë në përpjekje për të detyruar Kremlinin që t’i japë fund luftës.
Shtëpia e Bardhë tha se liderët në samit do të bëjnë gjithashtu një “angazhim të paprecedentë dhe afatgjatë të sigurisë për t’i ofruar Ukrainës mbështetje financiare, humanitare, ushtarake dhe diplomatike për aq kohë sa nevojitet”, duke përfshirë dhënien në kohë të armëve të avancuara. REL