Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, del në mbështetje të protestës së veteranëve, ndërkohë apelon që protesta e veteranëve thirrur për këtë të enjte në Prishtinë të jetë e qetë, shkruan Kosova Post.
Tutje Haradinaj përmes një postimi në Facebook, i ka bërë thirrje qeverisë që të tërheq ligjin për pagën minimale, i cili u miratua në lexim të parë pa përfshirjen e veteranëve.
“Duke qenë në përkrahje të plotë të kësaj proteste, apeloj tek të gjithë, që të protestohet qetë e me dinjitet! I bëj thirrje qeverisë që ta tërheq ligjin, ta korrigjojë, të përfshijë kategoritë e lirisë brenda tij dhe ta risjellë në Parlament për votim. Është me interes që gabimi i bërë të korrigjohet ”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Shkrimi i plotë i Haradinajt në Facebook:
Fatkeqësisht me miratimin në lexim të parë të Ligjit për pagën minimale, qeveria dhe shumica parlamentare, kanë shkelur të drejtat dhe dinjitetin e luftëtarëve të lirisë!
Prandaj edhe protesta e veteranëve e thirrur për nesër është plotësisht e drejtë!
I bëj thirrje qeverisë që ta tërheq ligjin, ta korrigjojë, të përfshijë kategoritë e lirisë brenda tij dhe ta risjellë në Parlament për votim. Është me interes që gabimi i bërë të korrigjohet.
Duke qenë në përkrahje të plotë të kësaj proteste, apeloj tek të gjithë, që të protestohet qetë e me dinjitet!
Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së do të protestojnë nesër (e enjte) para Kuvendit të Kosovës duke filluar nga ora 09:30.