Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit duke thënë se përpjekjet për të ndalur fitoren e subjektit të tij “Për Drenasin Kampion” janë të kota, përcjell KosovaPost.
Ai i ka reaguar deputetit të PDK-së, Abelard Tahirit duke thënë se “Qytetarët e Drenasit kanë besë”.
“Përpjekje të kota për ta ndalur fitoren ‘Për Drenasin Kampion’. Merrni frymë thellë e pini ujë të ftohtë, mashtrimet me poste e favore po marrin fund, 12 Tetori erdhi me 101 të mira”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka kritikuar kundërshtarët politikë, duke i quajtur premtimet e tyre të përkohshme dhe të rreme:
“Goditjet i kemi pritur, sepse ju njohim, në fushata me numra të përkohshëm jepni premtime si babadimri, posa përfundojnë ato, vjen mesazhi ‘numri që keni kërkuar nuk ekziston’. Nuk e kam besuar se bini kaq poshtë, por, ju e dini pse meritoni të jeni kaq poshtë.”
Lladrovci ka theksuar se lista e asamblistëve të tij është përbërë nga njerëz me vlera dhe integritet.
“Lista e asamblistëve për Kuvendin e Komunës ‘Për Drenasin Kampion’, përbëhet nga vajza e djem, gra e burra me integritet e dinjitet, me cilësi individuale e familjare, me vlera profesionale dhe atdhetare”, ka shkruar ai.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se deri tani janë bërë shtatë tentativa për të thyer asamblistët e tij, por pa sukses.
“Qytetarët e zemrës së Kosovës as shiten, as blihen. Deri sonte, jam vënë në dijeni për tentimin e shtatë për të thyer asambliste e asamblistë, pa sukses.”
Në fund të reagimit të tij, Lladrovci ka theksuar se Drenasi është një “bastion kampion” ku, sipas tij, nuk mund të ketë ndërhyrje të paligjshme.
“Në kalanë e Drenasit, në bastionin kampion, nuk mund të grabitni, këtu ka rregulla edhe morale, edhe patriotike, edhe të besës. 101 arsye ‘Për Drenasin Kampion’, vazhdojmë edhe katër!”, ka përfunduar ai.


























