Një lokal në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë që u përfshi nga zjarri ishte jofunksional dhe nuk kishte njerëz përreth.
Kështu deklaroi para mediave drejtoresha e Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës Medina Braha.
Ajo tha se organet kompetente do të zhvillojnë hetimet për të kuptuar shkaqet e zjarrit.
“Këtu jemi sot siç njihet “Parku i Heroinave” dhe kemi pasur një rast ku ka pasur djegie të një lokali lart. Fatmirësisht ajo pjesë është jofunksionale dhe nuk është duke u shfrytëzuar dhe fatmirësisht edhe lokalet poshtë nuk janë prekur. Do të thotë që kemi vetëm dëme materiale të pjesës lartë kurse lokalet poshtë nuk kanë pësuar ndonjë djegie. Organet do të bëjnë hetimet dhe do të të vijnë në përfundim se çka është shkaktari por tani zjarri veçse është lokalizuar”.
Komandati i Brigadës së Zjarrfikësave të Prishtinës Latif Zeka, ka folur për momentin e ndërhyrjes së zjarrfikësave.
“Zjarrfikësat posa e kanë marrë lajmin në 12:49 kanë dalë në vendin e ngjarjes, zjarri ka qenë jashtëzakonisht një hov i madh në zhvillim. Por, për fat të mirë ata që në momentin që kanë ardhur e kanë futur në kontroll zjarrin dhe nuk ka dëme përveç atij lartë që ka ndodhur. Lokalet tjera janë lokalizuar dhe janë shpëtuar. Për dëmet materiale nuk e di, janë ekspertët edhe të policisë dhe zjarrfikësave, që është inspektori për parandalimin e zjarreve ku do ta vlerësojmë sa dëme dhe prej çka ka ndodhur zjarri”.