Vendet evropiane fillimisht i rezistuan presionit amerikan për të hequr dorë nga pajisjet për rrjetin 5G të prodhuar nga “Huawei”, por më vonë shumë miratuan rregullore që kufizojnë ose edhe ndalojnë përdorimin e tij, përcjell Kosova Post.
Kur administrata e ish presidentit amerikan Donald Trump filloi luftën kundër gjigantit teknologjik kinez, një nga frontet e rëndësishme ishte të bindte aleatët evropianë se pajisjet “Huawei” janë një kërcënim i sigurisë dhe se ata nuk duhet ta përdorin atë në ndërtimin e një rrjeti 5G.
Një nga armët kryesore të Uashingtonit ishte kërcënimi për Aleatët se do t’i dëbonte ata nga programi i shkëmbimit të të dhënave të sigurisë nëse bashkëpunonin me “Huawei”, i cili është një lider në zhvillimin e pajisjeve për rrjetin 5G.
Sidoqoftë, qasja amerikane u ndesh me rezistencë nga aleatët, të tillë si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe. “Huawei” nënshkroi deri në 91 kontrata për shpërndarjen e pajisjeve, pothuajse gjysma e të cilave ishte në Evropë.
Edhe kur shërbimet evropiane të sigurisë shprehën shqetësimin për pajisjet 5G të Huawei, vendet evropiane vazhduan t’i rezistonin luftës së Trump kundër gjigandit kinez dhe ishte e qartë se qasja e Uashingtonit po dështonte, zbulon Keith Krah, ish Nënsekretari i Shtetit i SHBA.
Ish-diplomati zbulon se në një moment, Shtetet e Bashkuara zbutën qasjen e tyre dhe se ata filluan t’i trajtojnë partnerët e huaj si “klientë” dhe t’u bëjnë atyre “oferta të vlefshme”.
Krah shpjegoi se në atë kohë, Amerika filloi të negociojë drejtpërdrejt me ofruesit, duke kapërcyer përfaqësuesit e qeverisë dhe duke i bindur ata të shmangnin pajisjet “Huawei”.
Rregulloret kundër “Huawei” ndryshonin nga vendi në vend, disa ndaluan plotësisht pajisjet 5G të gjigandit Kinez, ndërsa të tjerët kufizuan përdorimin e saj.
Me ardhjen në pushtet të administratës së re të Joe Biden, nuk ka gjasa që situata të ndryshojë. Shtëpia e Bardhë tashmë ka njoftuar se ka në plan të përballet me Kinën për një numër çështjesh.
Gina Raymond, kandidatja e Biden për sekretar të tregtisë, tha se administrata e re nuk do të ndryshojë pozicionin amerikan të miratuar nga ekipi i Trump në lidhje me pjesëmarrjen e “Huawei” në zhvillimin global të rrjetit 5G. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të akuzojnë gjigantin teknologjik kinez se i mundëson Pekinit të spiunojë klientët e Huawei përmes pajisjeve të tij dhe se do të vazhdojë të bindë vendet e tjera që mos ta përdorin atë.
“Huawei” dhe autoritetet kineze, nga ana tjetër, do të vazhdojnë të luftojnë kundër akuzave amerikane, duke pretenduar se ato janë të pabazuara dhe të rreme.