Luiza Gega, siguron finalen e 3000m/p në Europian

Luiza Gega, siguron finalen e 3000m/p në Europian

Atletja Luiza Gega është kualifikuar për në finalen e garës së 3000 metrave me pengesa në Kampionatin Europian të Atletikës, garë e cila do të zhvillohet ditën e diel në Berlin.

Kampionia shqiptare e pistës ka garuar sot në bateritë eliminatore të kësaj disipline, duke u renditur e dyta në Baterinë B, por koha e saj ishte e dyta edhe në renditjen e përgjithshme.

Gega dha kohën 9’33”11, duke u renditur pas zviceranes Fabienne Schlumpf (9’32”32).Në total, në dy bateritë eliminatore të garës së 3000m/p ishin regjistruar 33 atlete dhe në fund 15 atlete shkuan në finale e mes tyre është edhe Luiza Gega.

Një paraqitje e shkëlqyer e atletes kuqezi, që konfirmoi momentin e mirë që po kalon, pas triumfit dhe medaljes së artë të marrë një muaj më parë në Lojërat Mesdhetare në këtë disiplinë.Luiza Gega është pretendente për të fituar medalje në këtë event Europian. Finalja do të zhvillohet ditën e diel (ora 20:55).