Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka treguar përmes rrjeteve sociale se për çfarë ka biseduar me homologun rus, Vladimir Putin.
Ai ka pohuar se rusit i ka kërkuar që të ndërprenë sulmet në Ukrainë, të cilën gjë e ka refuzuar Putin.
“Kam folur këtë mëngjes me presidentin Putin dhe i kam kërkuar të ndërpresë sulmet në Ukrainë. Ai këtë pikë e ka refuzuar. Vazhdimi i dialogut për të shmangur tragjeditë njerëzore është absolutisht e nevojshme. Do të vazhdoj përpjekjet dhe kontaktet e mia. Duhet të shmangim më të keqen”, ka shkruar francezi në Twitter.
Macron më tutje ka deklaruar se po angazhohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyn që të shmangin tragjeditë njerëzore.
“Dialog për të mbrojtur popullsinë, për të marrë vendime që do të shmangin tragjeditë njerëzore, për t’i dhënë fund kësaj lufte: ky është kuptimi i angazhimit tim përkrah Presidentit Zelensky dhe komunitetit ndërkombëtar. Vendosmëria ime është dhe do të mbetet totale”, tha ai.