Makina e parë turke e prodhimit vendas bëri debutimin publik dje në CES 2022, ekspozita më e madhe në botë e elektronikës së dedikuar për konsum, e cila po mbahet në qytetin amerikan Las Vegas, raporton Anadolu Agency (AA), përcjell KosovaPost.
“Ne e përkufizojmë veten si një kompani teknologjike. Kjo është arsyeja pse ne jemi në CES, vendi ku mblidhemi për inovacionet e fundit teknologjike dhe risitë”, tha në konferencë për media Gürcan Karakaş, drejtor ekzekutiv i Grupit të Iniciatviës së Automobilit të Turqisë (TOGG), konsorciumi që zhvilloi makinën.
Karakaş tha se teknologjitë e TOGG-ut, të unifikuara nën platformën “Smart Life”, përfshijnë shumë më tepër sesa thjesht një makinë plotësisht të ndërlidhur.
“Ne po ndërtojmë TOGG-un me një qasje plotësisht të përqendruar te përdoruesi. Nëse një produkt nuk krijon vlerë për përdoruesin, ai nuk do të mbijetojë”, tha ai, duke shtuar:
“Ne e përkufizuam pajisjen tonë inteligjente C-SUV si të përqendruar te përdoruesi, inteligjente, empatike, e ndërlidhur, autonome, e përbashkët dhe elektrike”.
“Koncepti ‘Use-Case Mobility’, i cili mishëron këto karakteristika, është regjistruar në të gjithë botën. Ne kemi punuar në mbi 350 raste të përdorimit dhe kemi dalë me mbi 40 ide novatore. Më shumë se 2.000 njerëz morën pjesë në kërkimet sasiore që përfshinte më shumë se 30 fokus grupe dhe intervista. ‘User Journey Map’ u zhvillua bazuar në konceptet që ne i kemi dhënë prioritet”, shtoi ai.