Maloku: Kosova do shembet si shtet, nëse hyn në koncesione të reja me Serbinë!

Maloku: Kosova do shembet si shtet, nëse hyn në koncesione të reja me Serbinë!

 Profesori universitar dhe kryetari i Shoqatës së sociologëve të Kosovës, Fadil Maloku, në një intervistë ekskluzive për KosovaPost, flet për dialogun Kosovë- Serbi, arritjen e marrëveshjes historike siç thotë ai kjo marrëveshje do të ketë kompromise të “dhimbshme” të dyanshme. Tutje Maloku flet në vija të trasha se cilat do të jenë pikat ku do të arrihet kompromis ndërmjet palëve dialoguese Kosova-Serbi. Gjithashtu Maloku flet edhe për rrezikun që do i kanosej Kosovës në rast të hyrjes në dialog me Serbinë pa “vija të kuqe” dhe pa një platëformë konsensuale. Maloku flet edhe për konsensusin e brendshëm që duhet ta ketë Kosova para fillimit të dialogut  për transformimin e FSK- së e shumë procese të tjera politike që e presin Kosovën në ditët e muajt e ardhshëm.

KosovaPost: z.Fadil Maloku, Kosova dhe Serbia, tashmë po hyjnë në fazën finale të dialogut. Sa e shihni të mundshme arritjen e një marrëveshjeje të obligueshme për të dyja palët që çon drejt normalizimit dhe njohjeve reciproke?

z.Maloku: Kam përshtypjen që këto bisedime që në fillim u nisen si teknike do përfundojnë me një marrëveshje, për të mos thënë historike, por gjithsesi një marrëveshje që do krijonte konditat e një sigurie dhe stabiliteti të ri në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shikuar me këtë dioptri këto bisedime janë shumë të dobishme edhe për disa arsye:

  1. Do definohej qartë pozicioni i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, si Projekt ndërkombëtar, e që me Rezolutën 1244, akoma ka problem, edhe për shkak se ajo akoma nuk është anëtare e KB.
  2. Serbia do lirohej definitivisht nga presioni i brendshëm e më shumë i jashtëm për të definuar dhe kornizuar qartë dhe në mënyrë të theksuar se është një shtet që meriton joshjet për integrime qoftë rajonale po edhe ato evropiane.
  3. Rajoni i Ballkanit Perëndimor, do qetësohej për ca dekada të ardhshme.

KosovaPost: Janë paralajmëruar edhe kompromise të vështira për të dyja palët. Nëse për Serbinë, kompromisi më i madh do të ishte njohja e shtetit të Kosovës, cili do të ishte kompromisi i Kosovës në raport me Serbinë?

z.Maloku: Po tani po kalkulohet shumë edhe në publik e edhe në medie se çfarë në fakte nënkuptojmë me “kompromis”? Në fakt, ne kemi një prononcim të Presidentit Thaçi, i cili shkarazi, por mund të jetë edhe i qëllimshëm, se “….Si Kosova ashtu edhe Serbia do bëjnë kompromise”. Ne nuk jemi në dijeni se çfarë nënkupton kjo gjuhë eufemiste e politikës, por në vija të trasha mund të nënkuptojmë që synimi është ky:

  1. Serbia të pranoj që nga Preambula e Kushtetutës së saj të heqë sintagmën, ku figuron se Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë.
  2. Ndërkaq, Kosova ta avancojë pra ta mveshë thënë më thjesht ASOCIACIONIN me kompetenca ekzekutive. Kështu e kuptoj unë “kompromisin” e prejudikuar tashmë edhe në medie të Presidentit aktual të Kosovës

KosovaPost: Janë përmendur edhe vijat e kuqe të dialogut. Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar dialog pa vija të kuqe, ndërkohë që ka shumë mospajtime rreth deklaratave të tij. Si e shihni ju një dialog eventual pa vendosjen e vijave të kuqe në të?

z.Maloku: “Vijat e kuqe”, për mendimin tim nënkuptojnë koncesione të reja dhe padyshim të dhimbshme, ngase:  ‘Çdo “kompromis” i mëtejmë kompetitiv i palës kosovare në raport me Serbinë, do e fundos shtetndërtimin e Kosovës!” Kosova me juridiksion është shtet multietnik, ani pse në jetën reale multietniciteti kosovar me 95% shqiptar e 5% grupe tjera etnike është një improvizim banal…sepse, shtete multietnike në rajonin e Ballkanit mund të shquhen vetëm Bosnja dhe Maqedonia.

Tjetër është mosintegrimi i qëllimshëm i serbëve në sistem. Dhe për këtë fajtor duhet të jenë si qeveritë e Kosovës ashtu edhe të Serbisë

1.Themi të Kosovës, për shkak se asnjë qeveri e pasluftës nuk ka, ofrua: Projekte, as ide e as kurrfarë strategjiepër      t’i joshë e akomodua serbet vendas në sistemin e ri vlerorë.

  1. Themi të Serbisë, shkaku se Serbia gjithnjë i ka manipuluar popullatën serbe të Kosovës, për qëllime të veta politike
  2. Themi të mekanizmave dhe institucioneve ndërkombëtare, shkaku se edhe ato më shumë kanë neglizhuar në gjetjen e zgjidhjeve për serbet kosovar, sidomos Brukseli, jo edhe aq të Uashingtoni), të cilët më shumë ishin të interesuar për të bërë “pazarin” e integrimit të serbëve, në raport me Serbinë

Por, në gjithë këtë projeksion, apo fushë debati dhe padyshim konflikti me Serbinë, duhet pasur parasysh që serbët lokal në gjuhën juridike kanë shumë privilegje. ”Mirëpo, kur ideja e”mbrojtjes” paragjykohet përmes superprivilegjeve (çfarë në të vërtetë janë edhe me Kushtetutë), atëherë ajo bëhet pengesë serioze edhe për rregullimin e raporteve tjera shoqërore.

Në rrafshin ndërkombëtar sot për sot ekzistojnë nisma dhe modele të llojllojshme të cilat janë në raporte konkurruese njëra me tjetrën, por për mbrojtjen e pakicave më së largu kanë shkuar shtetet perëndimore, ndërsa Evropa Lindore dhe ajo Juglindore ende janë në fazën e konstituimit të legjislacionit për grupimet etnonacionale pakicë”,…

KosovaPost: Ndërkohë, që dialogu po shkon drejt finales, në Prishtinë ende nuk ka një konsensus ndërmjet partive politike. Pse kaq e vështirë arritja e këtij konsensusi të brendshëm?

z.Maloku: Është i vërtetë konstatimi i juaj. Në ndërkohë, ”Serbia, ka kohë që është duke kërkuar një konsensus të brendshëm nacional, përkitazi “bisedimet finale” për Kosovën, qeveria jonë ka krijuar ad hoc një Platformë 9 pikëshe, me (një faqe e gjysmë!?), dhe mendon se do t’i rezistoj lehtë gjithë makinerisë diplomatike dhe konsensusit unik nacional serb!? Shpëtimi i vetëm i palës kosovare, janë interesat strategjike të miqve…. Të cilët falë ndihmës teknike dhe asaj këshillëdhënëse mund ta mbajnë dialogun. Ndryshe, në Ballkan edhe ashtu të trazuar në të ardhmen hapën opsionet tjera.., pse jo edhe ai i bashkimit të trojeve. Por, për këtë opsion kjo gjeneratë politikanësh nuk është e gatshme…Andaj duhet pasur shumë kujdes delegacioni i tanishëm qeveritar, se ku, çka dhe si po e bë ofertën e “kompromisit” në raport me Serbinë”,

KosovaPost: Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, thotë se dialogu nuk duhet të vazhdojë pa konsensusin nacional.

z.Maloku: Jam dakord . Dhe ai dialog duhet të zhvillohet në Kuvend. Kuvendi është aula e debatit dhe marrëveshjeve të çfarëdo natyre qofshin ato

KosovaPost: Krasniqi në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, thotë se Kuvendi i Kosovës si organi përfaqësues i qytetarëve të Kosovës duhet ta legjitimojë atë që duhet ta vazhdojë dialogun, pasi që, sipas tij, çdo veprim tjetër është antikushtetues. Cili eshte mendimi i juaj ?

z.Maloku: Nuk jam jurist ta gjykojë këtë konstatim, por , jam i sigurt që konsensusi ndërpartiak , s’bashku me shoqërinë civile, intelektualet, Akademinë etj.duhet të ndodhë

KosovaPost: Pse është pikërisht në këtë moment që Beogradi po ushtron presion mbi serbët e FSK-në?

z.Maloku: Thjesht për t’i disiplinuar dhe për të mbajtur në presion të interesave ekskluzive shtetërore e kombëtare serbe

KosovaPost: Si duhet vepruar për të realizuar kthimin e FSK-së në ushtri?

z.Maloku: Po, unë shoh që interesi i NATO-s është që edhe Kosova ta këtë një ushtri ekspeditive, sikurse të gjitha vendet e rajonit. Janë mundësia juridike që na i ka lidhe këmbët, sepse, pa pëlqimin e serbeve në Kuvend nuk mund të behet as edhe një germe e vetëm në sistem. Ose duhet ndryshuar Kushtetutën (qe unë jam pro), ose duhet me ndonjë ligj të ri me e bë…

KosovaPost: Liberalizimi i vizave është i rëndësishëm. Qytetarët aktualisht po presin raportin e Komisionit dhe nëse kriteret janë përmbushur, sapo raporti të përfundoj, a do të ketë vendim pozitiv për liberalizim të vizave?

z.Maloku: Përralla e “liberalizimit te vizave” ishte një manipulim i llojit të vetë që politika vendase e konsumoi për t’u mbajtur në pushtet në tri legjislatura…

KosovaPost: A i ka plotësuar Kosova kriteret?

z.Maloku: Ekspertet e integrimeve evropiane thonë që i ka plotësuar…

KosovaPost: Pse është domosdoshmëri për Kosovën?

z.Maloku: Sepse të rinjtë kosovar janë të vetmit në rajon që janë të privuar të qarkullojnë shlirshem…kur dihet që konventat ndërkombëtare, lirinë e qarkullimit e kanë promotorë të shkalles së demokracisë

KosovaPost: A ka mundësi të ketë një emigracion masiv nga Kosova ?

z.Maloku: Gjasat janë reale, sepse sot në kohën e revolucionit teknologjik është vështirë t’i mbash në burg social të rinjtë. Ata donë jetë më të mirë, shkollim shumë më cilësor, punë dhe begati nga më të ndryshmet…Thjesht donë ta shijojnë mirëqenien për vete

KosovaPost: A ka zhgënjim dhe humbje shpresash nga rinia kosovare?

z.Maloku: Fakti dhe akti i dëshirës për të ikur nga Kosova (një studim i fundit tregon se mbi 48% të rinjve kosovar nëse do u jepej shans për tu punësuar diku në Evropë, do e lëshonin vendin pa asnjë hamendje…