Futbollisti anglez dhe sulmuesi i Manchester United, Marcus Rashford, do t’i nënshtrohet një operacioni në shpatull, i cili mund ta lërë atë jashtë fushës për tre muaj, transmeton Kosova Post.
Klubi nga Oldtrafford theksoi se pas konsultimeve me trajnerin Ole Gunnar Solskjaer dhe ekipin mjekësor të klubit, u vendos që Rashford, i cili ka një problem me shpatullën për një kohë të gjatë, të shkojë në operacion.
Edhe pse nuk është konfirmuar nga klubi, mediat angleze deklarojnë se Rashford mund të qëndrojë jashtë fushës për tre muaj për shkak të operacionit.
Rashford ka luajtur 57 ndeshje për “Djajtë e Kuq” sezonin e kaluar dhe shënoi 21 gola. Ai gjithashtu luajti në fanellën e ekipit kombëtar të Anglisë në Kampionatin Evropian të këtij viti. (AA)