Në Parlamentin Republikës së Kosovës, është duke u diskutuar rreth çështjes së zbatimit të “Marrëveshjes së Washingtonit”, e arritur në periudhën e Qeverisë Hoti, shkruan Kosova Post.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, për qasjen e saj ndaj kësaj marrëveshjeje.
Duke u rikthyer në retrospektivë, ai kujtoi kohën kur qeveria e atëhershme e Avdullah Hotit, e mori pushtetin:
“Kur LDK e me zotin Hoti e mori qeverisjen e vendit me 3 qershor 2020, e gjeti Kosovën në pozicionin më të rëndë negociues, që nga fillimi i procesit të dialogut me Sërbinë me 8 mars 2011, pas rezolutës së asamblesë së përgjithshme të OKB-së, e cila e mirëpriste mendimin këshilldhënës të GJND-së për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe mirëpriste gatishmërinë e BE-së, për të iniciuar dialogun Kosovë Serbi”.
Ndërsa Selmanaj kujtoi kohën kur në opinion qarkullonin idetë e rrezikshme për shkëmbim territoresh e ri-negocim kufijsh, përkatësisht kur në pushtet erdhi koalicioni LDK- LV. Ardhja e koalicionit në fjalë në pushtet, rriti shpresat, sipas Selmanajt, që këto ide të rrezikshme, të merrnin fund.
Por, për befasinë e Selmanajt, situata u rëndua edhe më shumë:
“Sjelljet e papërgjegjshme të kryeministrit të atëhershëm dhe të tashëm zotit Kurti, bënë që Kosovës për herë të parë në historinë e saj, t’i vendoseshin sangsione përmes bllokimit të asistencës financiare dhe atë nga kush? Nga miku më i ngushtë i Kosovës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”
Ai e cilësoi të rëndësishme marrëveshjen, e për rrjedhojë, të dëmshëm mos-zbatimin e saj.
Ai iu bëri thirrje deputetëve të Vetëvendosjes dhe vetë Kryeministrit Kurti, që ta zbatojnë pikë për pikë këtë marrëveshje. Në të kundërtën, kushdo që është kundër kësaj marrëveshjeje, është kundër interesave të Kosovës./KosovaPost/