Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka folur për mbajtjen e liturgjisë nga kisha ortodokse serbe në kishën e ndërtuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës, përcjell Kosova Post.
“Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë”, ka shkruar ai në një status në Facebook.
Ai thotë se prona ku është ndërtuar ajo kishë është në proces gjyqësor, andaj ka cilësuar aktivitetin e sotëm si “presion” mbi gjykatën.
“Prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat. Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë”, ka shtuar Ministri.