Janë pezulluar fluturime dhe trenat, kurse njerëzit janë ftuar të qëndrojnë brenda në provincën Zhejiang, transmeton Kosova Post.
Qindra mijëra njerëz që jetojnë pranë detit janë evakuuar ndërsa tajfuni In-Fa goditi Kinën lindore me erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshme, njoftuan mediat lokale sot, shkruan AA.
Rreth 1,65 milion njerëz në gjithë provincën Zhejiang janë zhvendosur në vende më të sigurta që nga e diela në mbrëmje, sipas të përditshmes “Global Times”.
Fluturimet dhe trenat janë pezulluar ndërsa autoritetet përgatiten për “tajfunin më të fortë të vendit deri më tani në vitin 2021”, sipas lajmit.
Në provincën qendrore Henan të Kinës, përmbytjet e shkaktuara nga reshjet rekord gjatë javës së kaluar kanë marrë 69 jetë, ndërsa të paktën pesë persona mbeten të zhdukur.
Më shumë se 5 milionë njerëz në 120 rrethe të provincës u prekën nga përmbytjet, të cilat u shkaktuan nga shirat që autoritetet i kanë përshkruar si reshje “historike”.
Sipas të dhënave zyrtare, 617 milimetra shi janë regjistruar në rajon, niveli më i lartë në 60 vjet.
Rreth 25.000 ushtarë dhe ekipe të tjera, 1.400 automjete dhe 170 anije janë ende të angazhuara në operacionet e shpëtimit në zonat e goditura nga përmbytjet.