Mbi 4 milion viktima janë shënuar globalisht që nga fillimi i pandemisë, ndërsa vazhdon “lufta” për shpërndarjen e vaksinave. Megjithëse rastet e SARS-CoV-2 dhe viktimat për shkak të COVID-19 kanë pësuar rënie në vende të tilla si SHBA dhe Britani, shumë vende po përballen me mungesa të vaksinave pasi varianti Delta po bëhet dominues në nivel ndërkombëtar.
Një vit më parë numri i viktimave për shkak të pandemisë arriti në 2 milion. Ndërsa 2 milion viktima të tjera u shënuan vetëm në 166 ditë. Pesë vendet më të prekura janë- Shtetet e Bashkuara, Brazili, India, Rusia dhe Meksika – të cilat përbëjnë gati 50 përqind të viktimave në botë.
Peruja, Hungaria, Bosnja, Republika Çeke dhe Gjibraltari kanë nivelet më të larta të vdekshmërisë në raport me popullsinë e tyre. Vendet e Amerikës Latine dhe Karaibet po përballen me shpërthimin më të keq të pandemisë që nga marsi.
Në spitalet në Bolivi, Kili dhe Uruguaj janë shtruar pacientë nga mosha 25 deri në 40 vjeç, ndërsa tendenca drejt pacientëve më të rinj vazhdon të rritet. Në Sao Paulo, Brazil, 80% e personave në njësitë e kujdesit intensiv janë pacientë me COVID-19.
Rritja e shpejtë e rasteve dhe viktimave ka rritur presionin në shumë vende. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi muajin e kaluar se numri i viktimave është trefishuar.
Ndërsa vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme e kanë më të vështirë të imunizojnë popullatat e tyre për shkak të mungesës së dozave të vaksinave, ato u kanë bërë thirrje vendeve të pasura të ndajnë rezervat e tyre për të mbajtur nën kontroll pandeminë.
G7 ka premtuar të dhurojë të paktën 1 miliardë doza vaksinash deri në mes të vitit 2022 për vendet e varfra./abcnews.al