Nga Lyle J.Goldstein, National Interest
Temperaturat po rriten sërish në Ukrainën Lindore, teksa analistët e informuar sugjerojnë se mund të fillojnë veprimet ushtarak intensive kur të ketë kaluar “sezoni i baltës”. Është më se e kuptueshme që amerikanët mund të vuajnë nga lodhja me Ukrainën, pasi kanë parë komplotet shpeshherë të çuditshme që kanë lindur atje, dhe që janë fryt i makinacioneve politike mes Kievit dhe Uashingtonit gjatë 5 viteve të fundit.
Dhe ndërsa presidentët Joe Biden dhe Vladimir Putin shkëmbenin fyerje të ndërsjellta midis tyre, presidenti rus kremtoi 7-vjetorin e vendosjes së gadishullit të Krimesë nën kontrollin e Rusisë. Për fatin e keq të Evropës, Ukraina mbetet si kriza që zien ende, dhe që kërcënon të përmbysë “paqen e gjatë” të kontinentit.
Në fakt, edhe pse tensionet Ukrainë-Rusi janë origjina e gati të gjitha problemeve më të mprehta të sigurisë evropiane, kjo marrëdhënie dypalëshe problematike, tregon gjithashtu edhe rrugën që duhet ndjekur drejt zgjidhjeve të arsyeshme.
Disa analistë të rëndësishëm të sigurisë kombëtare amerikane, pretendojnë se “Lufta e Re e Ftohtë” ka pak gjëra të përbashkëta me përvojën e viteve 1945-1990, pasi qendrat e reja të konkurrencës ndodhen më shumë tek fushat kibernetike dhe të teknologjisë së lartë, sesa kanë lidhje me rivalitetin ushtarak dhe armët bërthamore.
Megjithatë, vlerësime të tilla duket se lënë në hije shtimin e vazhdueshëm të stërvitjeve nga formacione të mëdha ushtarake në të gjithë Evropën Lindore gjatë 5 viteve të fundit. Tensionet përshkallëzuese përgjatë frontit, midis forcave ruse dhe atyre amerikane, janë të dukshme përgjatë një fronti të madh gjeografik nga Arktiku deri në Kaukaz, dhe madje duke arritur në thellësi të Lindjes së Mesme.
Avionët bombardues amerikanë, që kanë fluturuar rregullisht përgjatë kufijve të Rusisë, tani janë lejuar të stacionohen për herë të parë në Norvegji, një fqinj i Rusisë në “Veriun e Lartë”. Po kështu, nëndetëset më të përparuara teknologjikisht të Amerikës, e kanë vizituar rajonin kohët e fundit në prag të stërvitjeve më të mëdha të NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Forcat amerikane, përfshirë tanket dhe helikopterët e sulmit, janë vendosur në shtetet baltike me një rregullsi të re, dhe tani janë një prani e përhershme edhe në Poloni. Ndërkohë, dronët amerikanë po patrullojnë rregullisht krahun e ndjeshëm jugor të Rusisë, përfshirë brenda Ukrainës dhe përgjatë gjithë perimetrit të gadishullit të Krimesë.
A nuk është vallë rastësi që Rusia ka prezantuar modernizimin e të paktën 5 armëve, duke përfshirë ICBM-të (raketat e reja balistike ndërkontinentale), bombarduesit, nëndetëset, dronët dhe armët bërthamore taktike gjithashtu?
Shumë analistë të mbrojtjes në Uashington, preferojnë të flasin më shumë për armët kibernetike, ndërsa kërkojnë projekte për copëza të reja të mbrojtjes së përditësuar kibernetike. Por publiku i gjerë mbetet shumë në errësirë në lidhje me qindra miliarda që do të ushqejnë garën e intensifikuar tashmë të armëve bërthamore, për të mos përmendur forcat e reja që po vendosen në Evropë.
Mbulimi konvencional i çështjes së Ukrainës, thekson se vendi u pushtua nga Rusia, pasi një udhëheqës i korruptuar pro-rus u rrëzua përmes protestave të mëdha popullore, gjatë ngjarjeve të Euro-Maidanit të fillimit të vitit 2014.
Pasi Krimea u aneksua nga “njerëzit e vegjël me të gjelbra”, Moska ishte ende e pakënaqur. Ndaj vendosi që t’i marrë Ukrainës edhe disa territore në rajonin lindor të Donbasit. Ndërsa kjo narrativë nuk është plotësisht e rreme, ajo nuk arrin që të njohë disa nuanca të rëndësishme.
Për shembull, lideri i Ukrainës, Viktor Janukoviç, mund të ketë qenë vërtet i korruptuar. Por fakt është që ai u zgjodh përmes një procesi zgjedhor legjitim dhe demokratik. Dhe duhet pranuar se një turmë e zemëruar, vështirë se është mënyra ideale për të rrëzuar një president të zgjedhur në mënyrë demokratike.
Për më tepër, “teza e pushtimit” nuk përputhet tamam me fakte në terren. Për shembull, në fillim të majit 2014,në Odesa pati një shpërthim të madhtë ndjenjës pro-ruse, që u shtyp me dhunë. Ngjarje të tilla, i përshtaten më mirë narrativës së luftës civile sesa asaj të pushtimit, që është kaq e njohur sot në Uashington.
Kujtimet në Uashington, nuk duket se kthehen më pas sesa zgjedhjet e diskutueshme të vitit 2016 apo Euromaidani i vitit 2014. Mjerisht, mungesa e madhe e dijeve historike në kryeqytetin amerikan, po ushqen tensionet e përshkallëzuara në Evropën Lindore.
Në fakt, strategët amerikanë duhet të marrin në konsideratë se pse amerikanët ishin aq shumë dashamirës ndaj Rusisë Cariste gjatë Luftës së Krimesë, kur Rusia u përball me imperializmin e perceptuar francez dhe britanik.
Po kështu, ata duhet të reflektojnë mbi faktin që nëse forcat sovjetike nuk do të kishin paguar një çmim aq të shtrenjtë për të mbrojtur fortesën Sevastopol deri në mesin e vitit 1942, ata me gjasë nuk mund të fitonin dot më pas në Stalingrad. Pra rezistenca kokëfortë e Kremlinit në Krime përballë agresionit nazist, u tregua jashtëzakonisht i rëndësishëm për fitoren e Aleatëve në vitin 1945.
Së fundmi, në politikën e jashtme amerikane pak e kuptojnë se kufijtë e brendshëm kishin pak rëndësi në kohën e Bashkimit Sovjetik. Ndaj,ndikimi i tyre në politikën post-sovjetike është gjithashtu i kufizuar. Nuk është çudi pse një bazë gjigante detare ruse ekzistonte në Krime pas vitit 1991 deri në vitin 2014,dhe akoma sot.
Pra,situata e Krimesë dhe e Ukrainës ka në përgjithësi më shumë nuanca të ngjyrës gri, dhe është më pak bardhë e zi, ndryshe nga sa e vlerësojnë shumica e amerikanëve. Atëherë,tek e fundit çfarë duhet bërë, përveç shpluhurosjes së disa librave të historisë?
Së pari, Shtetet e Bashkuara duhet të hedhin hapa të qartë dhe të dukshëm përpara për të çrrënjosur rivalitetet e militarizuara deri tani nga Arktiku në Kaukaz, për të kuptuar nëse hapa të tillë që synojnë de-përshkallëzimin, mund të sjellin të njëjtën përgjigje nga Kremlini.
Së dyti, Uashingtoni duhet të kërkojë të riaktivizojë të ashtuquajturin “Procesi i Normandisë”, që ul në tryezën e negociatave Rusinë dhe Ukrainën, me ndërmjetës udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës,me synim stabilizimin e situatës në Ukrainën Lindore.
Së fundmi, diplomatët amerikanë duhet të punojnë për një “pazar të madh”, që t’i akordojë Ukrainës anëtarësimin e plotë në NATO, në këmbim të njohjes së plotë diplomatike të sovranitetit rus mbi Krimenë. Ndërsa neutraliteti i Ukrainës do të ishte më i preferueshëm për sigurinë kombëtare të SHBA-së, një hap i tillë është me siguri i domosdoshëm për ta nxitur Kievin (për të mos përmendur skifterët e panumërt të Uashingtonit) të nënshkruajë ndonjë kompromis më të madh, që mund të çojë në një zbutje të tensioneve.
Për Moskën, përfitimet e gjera ekonomike, do të tejkalojnë pothuajse me siguri shqetësimet mbi sigurinë. Kjo marrëveshje për të “përshkuar gjysmën e rrugës”, mund të jetë mënyra e vetme përmes së cilës Evropa mund t’i shpëtojë morsës gjithnjë e më të ashpër të Luftës së Re të Ftohtë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Shënim: Lyle J.Goldstein, profesor në Kolegjin e Luftës Detare në Newport, SHBA. Ai është themelues i Institutit të Studimeve Detare mbi Kinën.