Kryediplomatët e G7-s, formuar nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Italia, Japonia dhe Kanadaja, u mblodhën ballë për ballë për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Kosova Post.
Në këtë takim janë ftuar gjithashtu ministrat e Punëve të Jashtme të Koresë së Jugut, Indisë, Australisë e Afrikës së Jugut, si dhe përfaqësues nga Sulltanati i Bruneit, vend që mban presidencën e radhës së Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN).
Mbledhja 2-ditore në Londër shikohet si parapërgatitje për Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të G7-s, i cili do të mbahet në Cornwall, një konte në pjesën jugperëndimore të Mbretërisë së Bashkuar, më 11-13 qershor.
Siç bën të ditur qeveria britanike, ministri i Punëve të Jashtme të vendit, Dominic Raab, do të nxisë anëtarët e G7-s të ndërmarrin veprime më të forta kundër juntave ushtarake, përfshi këtu edhe zgjerimin e sanksioneve që kanë në shënjestër individët dhe njësitë e lidhura me ushtrinë në Mianmar, mbështetjen e embargove të armëve dhe rritjen e ndihmës.
Diskutimet do të zhvendosen më pas në çështjen e Libisë dhe luftën civile që vazhdon në Siri.
Në pasditen e vonë, shefat e diplomacisë së 7 vendeve më të pasura të botës do të diskutojnë situatën në Etiopi, Somali, Sahel dhe Ballkanin Perëndimor.
Ata do të trajtojnë gjithashtu ndryshimet klimatike, negociatat bërthamore me Iranin, pandeminë COVID-19, raportet me Kinën, aktivitetet e vazhdueshme shqetësuese të Rusisë duke përfshirë grumbullimin e trupave të saj në kufirin ukrainas, situatën lidhur me opozitarin Alexei Navalny dhe gjendjen aktuale në Bjellorusi.
Kurse në ditën e dytë të takimit diskutimet do të fokusohen në të drejtat e njeriut dhe kërcënimet ndaj demokracisë.trt