Pas shkretimeve të Luftës së Parë Botërore Shqipëria kishte nevojë më shumë për dije, dhe për këtë qëllim Koliqi vendosi të hapë një gazetë. Kështu, së bashku me Anton Harapin (1888-1946) dhe Nush Topallin, ai themeloi të përjavshmen opozitare “Ora e maleve”, numri i parë i së cilës doli në Shkodër më 15 prill 1923.
Ora e maleve ishte organ i Partisë Demokratike Katolike, që me mbështetjen e klerit katolik kishte fituar zgjedhjet në Shkodër. Ky periodik, ndonëse jetëshkurtër, u përhap gjerësisht në Shkodër e më tej. Vitin tjetër, pasi kishte fituar një farë përvoje dhe si një poet i ri midis figurave më të njohura politike e letrare të kohës si Gjergj Fishta (1871-1940), Luigj Gurakuqi (1879-1925), Mid’hat Frashëri (1880-1949) dhe Fan Noli (1882-1965), Ernest Koliqi botoi një të quajtur poem dramatik me titull Kushtrimi i Skanderbeut, Tiranë 1924. Ajo përmban një radhë odesh për heroin kombëtar të Shqipërisë e për figura të tjera të mëdha të së kaluarës, të krijuara sipas traditës së letërsisë së Rilindjes.
Gazeta ka qenë organ i Grupit “Ora e maleve”. Grupi “Ora e maleve” ka qenë një grupim intelektualësh katolikë për të mbrojtur të drejtat e tyne e për të dhanë ndihmesën e vet në zhvillimin demokratik të vendit. Ky Grup u krijue nga Imzot Lazer Mjeda, vëllai i poetit Ndre Mjeda. Dhe pati rreth vetes një brumë vërtetë mbrujtun me ideale kombëtare e shoqnore të përparueme, si: Fishta, L. Gurakuqi, Ndre Mjeda, Shuk Gurakuqi, Harapi, Shantoja, Palaj, P.Ambroz Marlaskaj, Ndoc Ҫoba, vëllaznit Simoni e Nush Topalli, që zgjidhi i pari qesen me dhanë ndihmë në pare.