Policia Rrugore vijon të monitorojë akset kryesore në gjithë vendin për të parandaluar ngjarjet të cilat mund të përfundojnë në fatalitete si dhe të gjobisë drejtuesit që shkelin rregullat.
Në 48 orët e fundit janë arrestuar 13 drejtues mjetes e motomjetesh. Nga ana tjetër janë goditur dy raste korrupsioni, një në Fier-Vlorë ku policit i është ofruar 50 euro nga drejtuesi për të shmangur ndëshkimin dhe në rrugën ‘’5 Maji’’ një tjetër shofer i ofroi dy kartmonedha 1000 lekëshe drejtuesit për të anashkaluar testin e alkoolit.
Po ashtu 5 ngjarje rrugore janë parandaluar në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fier e Vlorë pasi drejtues mjetesh bënin gara shpejtësie ose manovra të rrezikshme. Edhe ata u ndëshkuan me nga 40 mijë lekë.
Në gjithë vendin pati 2 mijë e 679 gjoba për shkelje të ndryshme në vetëm 2 ditë.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Policia Rrugore 🚔 me radarë📸, dronë, dragera, kamera, aparate fotografike, makina të paloguara e patrulla të lëvizshme 24/7, për të parandaluar aksidentet rrugore.
Përgjatë 48 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 13 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
👉Janë pezulluar 54 leje drejtimi, nga të cilat 33 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 21 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Gjatë kontrolleve parandaluese, krahas sanksioneve administrative të vendosurave ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, Policia Rrugore, përgjatë 48 orëve të fundit ka goditur dy raste të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Në autostradën Fier-Vlorë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Nartës”, shërbimet e Njësisë Operacionale të Drejtorisë së Policisë Rrugore kanë konstatuar shtetasin A. O., 37 vjeç, i cili drejtonte mjetin mbi normat e shpejtësisë së lejuar. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, 37-vjeçari A. O. i ka ofruar punonjësit të Policisë, një kartëmonedha me vlerë 50 euro, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer.
Po gjatë kontrolleve parandaluese, në rrugën “5 Maji”, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë kanë konstatuar shtetasin F. B., i cili po drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit, shtetasi F. B., 62 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë, dy kartëmonedha me vlerë 1000 lekë, me qëllim shmangien e testimit për alkoolin.
👉Si rezultat i kontrolleve intensive dhe denoncimeve të adresuara në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2679 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Falë denoncimeve të qytetarëve janë parandaluar 5 ngjarje rrugore në gjithë vendin. Drejtues mjetesh që kryenin manovra të rrezikshme dhe gara shpejtësie në rrugë, në Tiranë, Lezhë, Durrës, Fier e Vlorë, janë ndëshkuar me masë administrative 40.000 lekë të rinj secili.
Mos shpejtoni, mos kryeni parakalime të gabuara, mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, vendosni rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, qëndroni në radhë kur lëvizja është e ngadaltë për shkak të fluksit të lartë të automjeteve, respektoni rregullat e qarkullimit rrugor, që të arrini në destinacion🏠 të sigurt dhe me patentë në xhep. Në çdo aks rrugor dhe qendra urbane ka patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, me mjete të paloguara, dronë, kamera dhe aparate fotografike.
Ftojmë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional./BWeb