PRISHTINË, 03 maj 2021 – Instituti i Medias Kosovare në Prishtinë (IMK), nëpërmjet një komunikate, me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, u ka bërë thirrje institucioneve që ta forcojnë rolin e tyre në mbrojtjen e kësaj të drejte fondamentale, shkruan Kosova Post.
“U bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që të garantojnë lirinë e shtypit. Njëkohësisht, inkurajojmë mediat dhe entitetet relevante, që të bëjnë më shumë në forcimin e rolit të tyre, në kuadër të mbrojtjes së lirisë së shtypit” – thuhet ndër të tjera në këtë komunikatë.
Sipas IMK-së:
“Ka akoma raste kur gazetarët janë cak i trysnive dhe frikësimit”, prandaj “kjo minon lirinë e shprehjes dhe mediat e lira në Kosovë.”
Kjo është komunikata e plotë:
IMK: Gazetarët duhet të mbrohen!
PRISHTINË, 03 maj 2021 – Instituti i Medias Kosovare (IMK), në Prishtinë, nëpërmjet kësaj komunikate, u bashkohet radhëve të atyre që bëjnë thirrje për mbrojtjen e lirisë së shtypit.
MK u bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të garantojnë lirinë e shtypit. Njëkohësisht, inkurajojmë mediat dhe entitetet relevante, që të bëjnë më shumë në forcimin e rolit të tyre, në kuadër të mbrojtjes së kësaj të drejte.
Siç e dimë, kemi rastet edhe të freskëta, të cilat na tregojnë se si gazetarët tek ne ende shndërrohen në caqe të trysnive dhe frikësimeve të ndryshme, për t’i penguar ata që ta thonë të vërtetën. Kjo, konsiderojmë, minon jo vetëm lirinë e shprehjes por edhe vetë demokracinë. Andaj ne i dënojmë fuqishëm sulmet e fundit dhe kërcënimet ndaj tyre, nga kushdo që bëhen.
Institucionet duhet të promovojnë dhe të ruajnë një ambient në të cilin mediat mund të punojnë lirshëm dhe në mënyrë të sigurt, pa ndikim dhe ndërhyrje të jashtme.
I gëzohemi miratimit, në parim, të Projektligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë nga Komisioni i Kuvendit për Media. Me miratimin e tij, ligji do t’i kontribuojë në masë të madhe zhvillimin të mëtejmë të gazetarisë hulumtuese.
Po ashtu, i nxisim institucionet e Kosovës të përmbahen nga përpjekjet për të ndikuar në politikat redaktuese të mediave të pavarura. Por po ashtu, u bëjmë thirrje institucioneve të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile të jenë më të zëshme në mbrojtje të lirisë së shtypit.
Vetë misioni i IMKP-së ka për qëllim të ndihmojë në ruajtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, si dhe e përkrahjen dhe zhvillimin e mediave.
Në Kosovë, përvojat e gazetarëve në misionin e tyre në luftë për të vërtetën, tregojnë për sfidat e mëdha të tyre. Gazetari në Kosovë sot sfidohet jo vetëm nga pasiguria në vendin e punës, por edhe pasiguria ekonomike. Vendi ynë ende nuk ofron një ambient të përshtatshëm për gazetari të mirëfilltë. Megjithatë, ne jemi për t’i ndryshuar gjërat. Për të bërë më shumë./KosovaPost/