Këtë vit, për dallim nga vitet paraprake, dimri do të jetë më i ashpër në Kosovë. Kriza energjetike që ka trokitur në derën e shumë vendeve evropiane e ballkanike, ka ngritur gjendjen e alarmit tek institucionet dhe konsumatorët. Rënia e temperaturave, rritja enorme e kërkesës për energji si pasojë e shfrytëzimit të energjisë për ngrohje, mungesa e prodhimit dhe ngritja në qiell e çmimit të energjisë në bursa ndërkombëtare, janë vetëm disa nga faktorët kyç që e bëjnë këtë dimër mjaft sfidues.
Derisa në vendet tjera të rajonit çmimet e energjisë elektrik janë shumë më të shtrenjta, në Kosovë, konsumatorët e amvisërisë paguajnë çmimin më të lirë, duke bërë që energjia të shfrytëzohet me të madhe për secilën nevojë të tyre, përfshirë edhe për ngrohjen me energji elektrike. Shfrytëzimi i energjisë për ngrohje, përpos që kërkon kapacitete të shtuara prodhuese për të mundësuar përballimin e kërkesës për konsum, njëkohësisht rrezikon mbingarkesën e rrjetit shpërndarës, e cila pastaj reflektohet me destabilitet të furnizimit të qëndrueshëm me energji.
Për impaktin që mund ta ketë tek konsumatori shfrytëzimi i energjisë për ngrohje, në veçanti në situata të tilla ku kriza energjetike është fare pranë vendit tonë, foli edhe vet Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli.
“Gjatë dimrit konsumi rritet e po ashtu importi, kjo nuk do të ndihet menjëherë në fillim. Por do të vërehet më vonë nëse importojmë shumë. Qytetarët duhet të kenë parasysh që të mos ngrohen me energji elektrike. Sa më shumë që konsumojmë do të rritet importi, e kjo do të ndikojë në çmimet në vitin tjetër gjatë sezonit të dimrit”, ka thënë ministrja.
Tutje, Rizvanolli bëri apel tek konsumatorët që të gjejnë forma alternative të ngrohjes gjatë dimrit, në të kundërtën, konsumatorët do të afektohen me rritje të çmimit të energjisë.
“Sa më shumë që importojmë kjo do të reflektohet në tarifa gjatë vitit vijues. Të kursejmë energji, gjatë viti tjetër do të ketë ndikim, tarifat rishikohen në prill, t’i ikim ngrohjes me energji gjatë këtij dimri”, ka thënë ajo.
Disa qeveri në rajon dhe Evropë tashmë kanë njoftuar masa për të zvogëluar barrën e familjeve në dimër, të tilla si subvencionet. Ndërkaq, Kosova është ende duke analizuar situatën për të dal me masa përkatëse, që do të lehtësonin përballimin e krizës për konsumatorët në rast ngritjes së çmimit.