Mitropoliti serb, Joanikije, u shugurua dje në manastirin e Cetinjes pasi u transportua nga Podgorica me helikopter ushtarak bashkë me patriarkun Porfirije.
Ata nuk mund të arrinin në Cetinje nëpërmjet rrugëve tokësore, pasi mijëra protestues për dy ditë rresht i mbajtën ato të bllokuara, duke vënë barrikada.
Paradite, helikopteri u ul në livadhin përballë manastirit, ku Joanikije u shugurua në fronin e Shën Pjetrit malazez.
Sipas mediave malazeze, Qeveria ka thënë jozyrtarisht se është përdorur helikopteri ushtarak sepse është më modern, më i shpejtë dhe më i sigurt sesa helikopterët tjerë që ishin në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Hapësira para manastirit u sigurua nga anëtarët e Njësisë Antiterror të Policisë malazeze të armatosur me armë të gjata. Ata e mbronin Joanikijen dhe Porfirijen me trupat dhe parzmoret e tyre teksa hynin në manastirin e rrethuar nga një kordon policie.
B92 shkruan se sipas mediave në Mal të Zi, koordinatori i shërbimeve të sigurisë, zëvendëskryeministri Dritan Abazoviq, këshilltarët e tij, ministri i Brendshëm Sergej Sekuloviq dhe drejtori i Administratës së Policisë Zoran Brgjanin e drejtuan transportin e tyre me helikopter, transmeton Gazeta Express. Asistentët e Brgjanin – Dejan Knezeviq, Millosh Rakonjaq dhe Dragan Goroviq, si dhe kreu i Qendrës së Sigurisë, Goran Jokiq me bashkëpunëtorët e tij ishin në livadh teksa ulej helikopteri.