29 pasagjerë nga Kosova, gjashtë prej të cilëve fëmijë janë strehuar në Bullgari pasi autobusi me të cilin po udhëtonin mëngjesin e sotëm u aksidentua në qytetin e Kyustendilit, raporton mediumi Struma.
Siç raporton mediumi bullgar, aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:30, kur autobusi me pasagjerë nga Kosova e ka goditur një kamion të ndaluar që transportonte dru.
Drejtuesi i kamionit raportohet se po përpiqej t’u tregonte të tjerëve në trafik se një pemë kishte rënë në rrugë. Autobusi e goditi kamionin dhe ai doli nga rruga.
Drejtuesi i autobusit ka pësuar lëndime të lehta dhe është dërguar në Qendrën Mjekësore Qendrore në Kyustendil për ekzaminime dhe ndihmë.
Front Online ka kontaktuar me kompaninë “Shero Tours” dhe të njëjtit e kanë konfirmuar se mëngjesin e sotëm ka ndodhur aksidenti, por fatmirësisht pa të lënduar nga pasagjerët. Sipas një zyrtari nga kjo kompani, i cili nuk u prezantua me emër, autobusi po kthehej nga Turqia derisa është përplasur me një kamion që po barte drurë.
Lëndime të lehta ka marrë shoferi i autobusit. “Unë tani jam duke shkuar në vend të ngjarjes. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, lëndime të lehta ka marrë vetëm shoferi i autobusit. Autobusi po kthehej nga Turqia për në Kosovë”.