Liderja e Partisë së ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë” (Fdl), Giorgia Meloni e cila fitoi në zgjedhjet e 25 shtatorit në Itali dhe që pritet të jetë kryeministrja e mundshme, deklaroi se nëse vijnë në pushtet janë në përgatitje për të dhënë përgjigje të menjëhershme dhe efektive ndaj problemeve me të cilat përballet vendi, transmeton KosovaPost.
Meloni mori pjesë në një aktivitet të zhvilluar në Milano nga Shoqata Bujqësore e Italisë (Coldiretti).
Pas fitores në zgjedhje, Meloni mori pjesë për herë të parë në një aktivitet publik dhe ajo vuri në dukje problemet, kryesisht kostot e energjisë me të cilat po përballet vendi.
“Nëse vijmë në detyrën për drejtimin e vendit, ne planifikojmë të japim përgjigje të menjëhershme dhe efektive për popullin tonë. Qëndrimi i Italisë duhet të fillojë nga kthimi në mbrojtjen e interesave të saj kombëtare për të gjetur zgjidhje të përbashkëta. Në muajt e ardhshëm do të ndryshojnë disa gjëra. Kjo nuk nënkupton për të pasur qasje negative ndaj të tjerëve, përkundrazi në kuptim për qasje pozitive ndaj vetes”, tha Meloni.
Duke e cilësuar rritjen e çmimeve të energjisë si një prej problemeve parësore të vendit dhe që shqetëson qytetarët, Meloni theksoi se janë në kontakt të ngushtë me qeverinë aktuale e cila po zhvillon negociata komplekse për të gjetur zgjidhje për këtë çështje./AA