Shkruan: Daut Dauti
Debati për rastin ‘Sunny Hill’ ka shpërfaqur sërish idenë se disa njerëz, për shkak të meritave ndaj Kosovës, kanë të drejtë t’a përvetësojnë pasurinë (patundshmërinë) shtetërore. Falja e tokave këtyre nuk iu duket aspak problem.
‘E meritojnë se kanë luftu’ ose ‘e meritojnë se vajza ose djali i tij ka kontribu për Kosovën’– është mendimi i jo pak vetave. Është krijuar ideja se Kosova (shteti) u ka borxh këtyre njerëzve. Por, të luftosh dhe kontribuosh në mënyra tjera për atdheun, është obligim dhe për këtë gjë nuk ka shpërblime me patundshmëri. Për këto raste, shteti shpërndanë mirënjohje, falënderime, medalje e penzione, por nuk jep toka. Dhe, sa do shumë që kontribuoni për atdheun, kurrë nuk mjafon dhe me ketë nuk mund të krekëzoheni sepse borxhi që keni ndaj atdheut është i pakufizuar.
Shpërblimi me patundshmëri (dmth toka) ka qenë veprim që është zbatuar në mesjetë. Mbreti, në rastin tonë sulltani, pas luftërave i ka shpërblyer luftëtarët me toka. Por, kjo gjë ka përfunduar me zhdukjen e feudalizmit dhe me krijimin e shtetit modern. Sot, asnjë shtet nuk falë toka apo shtëpia që hyjnë në kategorinë e patundshmërisë. Përkundrazi, janë qytetarët që i falin shtetit toka, shtëpi e pasuri tjera, por kjo nuk ndodhë në shtetin tonë.
Natyrisht dhe për fat të keq, në Kosovë ‘meritorët’ kanë ‘blerë’ toka ‘për ni cigare duhan’, siç thotë një shprehje e jona. Këta ‘meritorë’ shtetin e shohin si një copë mishi, të cilit i sillen përreth duke e pritur momentin për ta kafshuar kurse tjerët aplaudojnë në rolin e spektatorit gazmor. Këta janë ‘meritorët’ e lazdruar dhe përkrahësit e tyre që e kërcënojnë Kosovën kur ajo nuk ua përmbushë kushtet.
Ky është ai mentaliteti jonë i bazuar në kenceptin mesjetar, që është bartur në ditët e sotme dhe që nuk na lë të ecim për shkak se me njerën dorë na mbanë për bishti e me tjetrën na e shtrëngon fytin.