Kaluan festat e fundvitit në Kosovë, por mërgimtarët tashmë kanë filluar të kthehen në vendet ku edhe jetojnë.
Jo të gjithë, por shumica e mërgimtarëve, kthimin e bëjnë përmes transportit rrugor, ndërsa jo lehtë për ta kur po përballen edhe me pritje mjaftë të gjata në pikat kufitare.
Në dalje të Kosovës, saktësisht në Merdare pritjet janë deri në dy orë.
Situatë e ngjashme ishte edhe gjatë pasdites së djeshme në dalje të kësaj pike kufitare.
Kurse tek Dheu i Bardhë sot pritjet janë më të shkurtra.
Mërgimtarëve u duhet të presin vetëm 30 minuta, në një kolonë prej 100 metrave.
Duhet përkujtuar që gjatë këtij fundviti pati një numër tejet të madh të atyre që erdhën në Kosovë, jo vetëm përmes transportit rrugor por edhe përmes atij ajror.