Policia e Rajonit të Pejës e ka shpallur në kërkim dhe ia ka publikuar fotografinë një mërgimtari nga Gjermania. Sipas urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata, ai po kërkohet për veprën penale të mashtrimit. Por, për çfarë rasti të mashtrimit bëhet? Flet vetë mërgimtari dhe Prokuroria e Pejës.
Para rreth një muaji, mërgimtari Agim Dreshaj nga Prigoda e Istogut, e pa fotografinë e tij të publikuar në media. Por, jo për diçka të mirë.
Ai thotë se u informua nga raportimet e mediave se është shpallur në kërkim për veprën penale të mashtrimit nga Policia e Kosovës.
Nga Prokuroria e Pejës i kanë thënë se kanë pranuar kallëzim penal ndaj Dreshajt në shtator të vitit 2019, për veprën penale të “Mashtrimit”.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, i ka thënë se Dreshaj dyshohet se këtë vepër e ka kryer në bashkëpunim me një person me inicialet F.Q., në qershor të vitit 2018 në Spitalin Rajonal të Pejës.