Presidenti francez Macron dhe Kancelarja Merkel bënë një deklaratë në lidhje me zbulimin se Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së, me ndihmën e inteligjencës daneze, kishte dëgjuar Kancelaren Gjermane dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Evropës, transmeton Kosova Post.
Pas takimit të Këshillit të Ministrave Gjermano -Francez të mbajtur përmes video konferencës, Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Emmanuel Macron mbajtën një konferencë të përbashkët shtypi.
Zyrtarë të lartë gjermanë dhe deputetë evropianë thanë se do të shkojnë së shpejti në Uashington për të biseduar rreth pohimeve se Shtetet e Bashkuara kanë kryer përgjime kundër aleatëve. Gjermania dhe Franca po kërkojnë që Shtetet e Bashkuara të ndalin përgjimet në Evropë, me synimin që deri në fund të këtij viti të arrihet një marrëveshje që i jep fund këtij lloj aktiviteti.
Gjermania bëri të ditur sot se krerët e agjencive të saj të zbulimit të jashtëm e të brendshëm do të shkojnë në Uashington por pa dhënë ndonjë datë konkrete. Edhe disa ligjvënës evropianë kanë njoftuar se do të takohen me zyrtarët amerikanë javën e ardhshme lidhur me çështjen e përgjimeve amerikane.
Ndërkohë, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se njoftimet rreth përgjimeve të agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare kanë tronditur besimin tek administrata e Presidentit Biden dhe kanë minuar marrëdhëniet e rëndësishme ndëratlantike.
Ajo tha se Shtëpia e Bardhë i kishte bërë të ditur se thirrjet e saj telefonike nuk ishin përgjuar nga SHBA, ndryshe nga sa thuhej në një lajm të publikuar këtë javë. Por, duke komentuar sot, Kancelarja gjermane tha se i kishte deklaruar zotit Macron në telefon që përgjimi ndaj një aleati është i papranueshëm.
“Mendoj se më e rëndësishmja për momentin është gjetja e një baze se si do të veprojmë në të ardhmen, dhe, siç e thashë edhe sot, duhet rivendosur besimi. Kjo nënkupton se besimi është tronditur rëndë dhe këto shqetësime u shprehën sot nga anëtarët e Këshillit Evropian.”
Gazeta gjermane Sueddeutsche Zeitung shkruan sot se përgjimet që thuhet se i janë bërë telefonit të zonjës Merkel, mund të jenë kryer nga ambasada amerikane në Berlin, e cila ndodhet më pak se një kilometër nga zyra e Kancelares gjermane. Sipas gazetës, ambasada amerikane ka një pikë përgjimi që administrohet bashkarisht nga agjencia e Sigurisë Kombëtare dhe nga CIA.
Shtëpia e Bardhë mund të përballet së shpejti edhe me zemërimin e udhëheqësve të tjerë./KosovaPost/.