Deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, ka thënë se Komisioni Republikan Zgjedhor në Serbi ka vendosur për përsëritjen e zgjedhjeve në një vendvotim në Tërnoc të Bujanocit.
Kamberi theksoi se pushteti autoritar i Vuçiqit dhe Daçiqit në Beograd dëshirojnë t’i përjashtojnë ata pak shqiptarë të mbetur në institucionet shtetërore, njofton Klankosova.tv.
“Pushteti autoritar i Vuçiqit dhe Daçiqit në Beograd po vazhdon të veprojë për t’i përjashtuar ata pak shqiptarë të mbetur në institucionet shtetërore”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
“Dje instrumentalizuan politikisht Komisionin Republikan Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimin nr.6 në Tërnoc të Bujanocit”, shtoi ai.
Kamberi potencoi se Beogradit po i pengon edhe një deputet i vetëm shqiptar në parlament.
“Përderisa ne do të ankohemi në Gjykatën Administrative, kjo flet se Beogradit zyrtar i pengon edhe një deputet i vetëm shqiptar në një parlament me 250 deputetë, kryesisht serbë dhe të dominuar nga SNS i Vuçiqit dhe SPS i Daçiqit”.
“Keqpërdorimi i mekanizmave shtetëror nga SNS dhe SPS të Qeverisë së Serbisë për t’i përjashtuar shqiptarët nga institucionet shtetërore po shoqërohet paralelisht me përfshirjen e tyre në vendimmarrjet e Komunave të Luginës”.
“Çdo ditë e më shumë po dëshmohet se Serbia nuk do shqiptarë në institucione. Në vend të integrimit të shqiptarëve përtej organeve jokomunale, Qeveria e Serbisë po integrohet çdo herë e më shumë në pushtetet komunale të Luginës për t’ia ngushtuar edhe aty shqiptarëve praninë dhe përfshirjen”.
“Para disa viteve përjashtuan edhe ata pak shqiptarë të mbetur në Medvegjë nga vendimmarja komunale. Nesër përfshihen në vendimmarjen komunale të Preshevës”.