Mes premtimit dhe realitetit

Mes premtimit dhe realitetit

Shkruan: Gëzim Selaci

Dhjetë vjet më parë, Kosova u shpall shtet me premtimin për pavarësi, sovranitet, demokraci,barazi para ligjit dhe anëtarësim në Bashkimin Europian (sipas Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës). Përvjetori i dhjetë i shpalljes së republikës është moment për të reflektuar se a dhe sa janë realizuar këto premtime.

Shtetësia e kontestuar

Mirëpo, në të vërtetë shtetësia e Kosovës ende nuk është punë e kryer, përderisa ende kontestohet nga Serbia dhe aleati i saj, Rusia, si edhe një numër shtetesh anëtare të Bashkimit Europian. Shtetësia mbetet e kontestuar përderisa nuk sigurohen njohje të mjaftueshme për t’u pranuar në bashkësinë e shteteve të botës. Shtetësia e Kosovës është e kushtëzuar nga Serbia. Dialogu i mëtutjeshëm i Kosovës me Serbinë ka kuptim të plotë vetëm nëse mbaron me një marrëveshje për njohje të shtetit nga Serbia.

Sovraniteti i mbikëqyrur

Sovraniteti kontestohet për faktin se shteti i Kosovës është i mbikëqyrur ndërkombëtarisht dhe prania e misioneve ndërkombëtare është tepër e shprehur në strukturën dhe rrjedhat politike në Kosovë. Mbikëqyrja ndërkombëtare ishte ideuar si fazë kalimtare deri në realizimin e pavarësisë dhe sovranitetit të plotë. Mirëpo, marrëdhënia që është krijuar ndërmjet ndërkombëtarëve dhe klasës sonë politike, është problematike, në disa aspekte. Ndërkombëtarët i janë qasur projektit të ndërtimit të institucioneve vetëqeverisëse dhe të shtetit të Kosovës sipas logjikës së pedagogjisë politike, në të cilën politikanët vendës duhet t’u binden udhëzimeve të ndërkombëtarëve për ndërtimin e institucioneve nga jashtë me anë të intervenimeve, thuajse demokracia mund të importohet në një shoqëri.

Kështu, tutela ndërkombëtare ka hapur një hendek ndërmjet popullit dhe politikanëve; popullit dhe institucioneve të shtetit. Kjo qasje ka çuar në një situatë ku as klasa politike e as institucionet e këtilla nuk mund të qëndrojnë pa përkrahjen ndërkombëtare, sepse nuk kanë themele të tjera legjitimuese mbi të cilat do të mund të qëndronin.

Kjo marrëdhënie vazhdon në aspektet më kyçe. Vetëm tash së voni kemi parë konfrontimin e parë serioz të klasës vendëse politike me shtetet aleate me rastin e tentimit për ta zhbërë ligjin për “Gjykatën Speciale” (Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar). Mirëpo, është indikative se ky konfrontim duket se është bërë jo për konsiderata të interesit shtetëror, por për interesa personale të politikanëve, të cilët mund të gjykohen në lidhje me krimet e luftës dhe vrasjet e personaliteteve politike e publike deri në fund të vitit 2000.

Demokracia e mangët

Larg idealit të saj, demokracia është reduktuar në vota për zgjedhjen e politikanëve në poste shtetërore dhe nuk është kombinuar me institucionet e tjera, si ndarja dhe balancimi i pushteteve, qytetaria, sundimi i ligjit e të ngjashme, të domosdoshme për garantimin e demokracisë.

Kuvendi merr vendime që jodomosdoshmërisht vihen në praktikë. Ekzekutivi nuk i përfill vendimet e Kuvendit. Republika, që nominalisht është e tipit parlamentar, gjithnjë e më shumë po merr trajtën e një “republike kryeministrore” së tepërmi e udhëhequr nga pushteti ekzekutiv e diktuar nga kryeministri.

Zgjedhjet kanë rezultuar në ndryshime në skenën politike. Por, këto nuk janë të mjaftueshme për të kapërcyer gjendjen e pashpresë që e ka karakterizuar politikën së paku që nga pavarësia. Me gjithë disa ndryshimeve në skenën politike, ajo çfarë ka mbetur e pandryshueshme është prapaskena. Aty ku vërtet bëhet politika dominohet nga forca jodemokratike, jopërgjegjëse e jollogaridhënëse ndaj popullit: forcat parapolitike e militante, ambasadorët, kapitalistët e të ngjashëm. Kështu, zgjedhjet dhe ndryshimet e pushtetit politik nuk e realizuan premtimin demokratik.

Ka pasur përmirësim në mbarëvajtjen dhe procesin zgjedhor, por edhe momente krize dhe zgjedhje të parakohshme. Mirëpo, dalja nga këto kriza është kërkuar brenda konturave të njëjta të politikëbërjes dhe zgjedhjeve. Asnjëherë nuk është synuar një kontratë e re shoqërore, që vë themelet e një marrëdhënie të re ndërmjet popullit dhe politikanëve, më të përgjegjshme, më llogaridhënëse.

Shteti gjysmëdemokratik e i mbikëqyrur nuk ka arritur që nga popullata e vet të formojë pjesëmarrës aktivë në proceset e ndërtimit dhe legjitimimit të republikës, pra me një fjalë qytetarin aktiv politik, por në vend të tyre ka krijuar subjekte të nënshtruar ndaj vendimeve të drejtpërdrejta dhe kërkesave të drejtpërdrejta ose të nënkuptueshme të aktorëve ndërkombëtarë në vend, si dhe ithtarëve e militantëve të organizatave politike, që më së paku u përngjajnë partive politike.

Sundimi i ligjit të pabarabartëve

Ligji nuk vlen njëjtë për të gjithë. Niveli i korrupsionit, sidomos atij qeveritar, është i lartë. Kjo po e rrënon dimensionin shoqëror të ndërtimit të institucioneve të shtetit dhe vetë shtetit pra: besueshmërinë tek shteti, identifikimin me të, pranimin e tij, detyrimet ndaj tij dhe vetë legjitimitetin e shtetit.

Shoqëria ka reaguar në mënyra të ndryshme ndaj korrupsionit. Fatkeqësisht, reagimi ka qenë më tepër pasiv sesa aktiv. Pasiv, ngaqë është evidente mungesa ose rënia e besimit te institucionet e shtetit, sidomos gjykatat, prej të cilave pritet të ndëshkohet korrupsioni. Mungesë besimi ka edhe në personalitetet dhe në partitë politike. Kjo mungesë është tregues se qytetarët e shohin politikën si një veprimtari korruptive, domethënë vetëshërbyese në të mirë të politikanëve dhe jo publikut. Humbja e besimit social është kërcënim serioz për shoqërinë e shtetit të ri. Si?

Në marrëdhëniet e tyre sociale, individët sillen me besim në njëri-tjetrin, që domethënë se nga të tjerët presin të jenë besnikë dhe vetë janë besnikë. Besimi i ndërsjellë është një formë e rëndësishme e kapitalit social, i cili ndërtohet në saje të përvojës pozitive për një kohë të konsiderueshme. Ndryshe, rrënohet mirëbesimi ndërmjet njerëzve dhe besimi te zyrtarët e organizatave burokratike. Humbja e besimit në institucionet e organizatat, që rezulton prej kësaj, është mungesë e madhe për raportet shoqërore. Në mungesë të këtij besimi vështirë se mund të ndërtohet një shoqëri prosperuese. Nëse një individ nuk ia beson individit tjetër një detyrë ose një punë që do ta bëjë në emër ose në të mirë të tij, atëherë shoqëria – si një entitet mbi-individual – nuk mund të ekzistojë. Së këndejmi, as institucionet e organizatat shoqërore nuk mund të kryejnë funksionin e shërbimit publik, por do të degjenerohen në organizata burokratike për interesa të grupeve të ngushta shoqërore.

Kjo gjendje ka rezultuar në çrregullime të ndryshme shoqërore e kulturore. Kemi parë edhe trazira. Por, këto janë si revoltë ose rebelim ndaj establishmentit shoqëror që kontrollon politikën, ekonominë, mediat, opinionin publik etj. Kjo është simptomë e një gjendjeje dhe vështirë që kjo gjendje të ndryshojë vetëm me protesta revoltuese.

Gjithsesi, protestat janë të rëndësishme. Por, shumë protesta kanë qenë të thirrura e të orkestruara nga partitë politike e politikanët. Ka pasur fare pak protesta popullore, ku agjenda, kundërshtimi e kërkesat nuk janë artikuluar nga partitë politike e as nga ndonjë organizatë burokratike. Vështirë se një protestë, sado e madhe, mund të quhet popullore nëse partitë tregojnë se për çfarë duhet të protestohet ose ato i organizojnë protestat. Mund të ndodhë që partitë të jenë më efikase në organizmin dhe mobilizimin e njerëzve, por nuk mund të pritet që protesta të këtilla të sjellin ndryshime në të mirë të qytetarëve. Për ndryshim të status quo-së nevojitet mobilizim i forcave shoqërore, përmes lëvizjeve shoqërore, intervenimit të intelektualëve e të tjera. Sido që të jetë, edhe protestat e këtilla janë legjitime. Por, duhet të dihet se çfarë mund të presim prej tyre e çfarë jo.

Integrimi i pasigurt në Bashkimin Europian

Anëtarësimi në bashkësinë e shteteve europiane u bë ideali drejt të cilit synon shteti i ri, së paku në nivel deklarativ. Mirëpo, rrugëtimi i Kosovës drejt integrimit europian është i pasigurt, ndërsa vetë BE-ja ngurron ta trajtojë Kosovën si shtet anëtar të respektuar dhe kur vetë ideja e Europës së bashkuar po kalon nëpër një krizë, që po e vë në dyshim këtë ndërmarrje.

Andaj, kjo ndërmarrje e pasigurt duhej të vishej me një petk ideologjik për të fshehur e maskuar kështu paaftësinë e misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX) dhe paaftësinë e politikanëve për të realizuar premtimin e integrimit në BE, por edhe pasigurinë e vetë projektit të integrimit europian. Si rezultat, bashkë me krijimin e infrastrukturës së integrimit në Bashkimin Europian, mori formë edhe një sistem ideologjik që kishte për qëllim t’ia shiste këtë ndërmarrje politike popullatës së dëshpëruar dhe të dërrmuar nga papunësia, varfëria, ngecja arsimore e kulturore, si dhe prapambeturia materiale e shpirtërore.

Moskonsolidimi i shtetit dhe shqetësimet e drejtpërdrejta dhe të përditshme të qytetarëve u heshtën, u shtynë ose u lanë nën hijen e “rrugëtimit legjendar” të vendit drejt utopisë europiane. Dështimet dhe mospuna e qeverisë për konsolidimin e shtetit dhe mirëqenien qytetare u kompensuan me premtime për integrim në Bashkimin Europian. Ideologjia e integrimit në BE përhapej përmes mekanizmash të shumtë propagandistikë të organizatave të shoqërisë civile, fondacioneve dhe institucioneve të arsimit, të kulturës dhe mediave.

Por, fuqia e kësaj ideologjie mund të zbehet nga realiteti në të cilin ideja e Bashkimit Europian si një grupim mbikombëtar i shteteve po sfidohet tashmë jo vetëm nga parti e lëvizje euroskeptike brenda BE-së, por edhe nga dalja e Britanisë së Madhe.

Për të përfunduar, veç premtimeve të diskutuara të Deklaratës së Pavarësisë, pritshmëritë nga pavarësia kanë qenë të mëdha. Sidoqoftë, as pritshmëritë më modeste nuk janë realizuar: shteti nuk ka siguruar zhvillim ekonomik, as mirëqenie sociale, as arsimim të duhur në asnjë nivel shkollor, as shëndetësi të përshtatshme dhe të mjaftueshme. Shteti është reduktuar në një organizatë burokratike përmes së cilës klasa politike e ka ndarë pushtetin politik me forcat ndërkombëtare dhe sundon vetë dhe për vete, ndërsa të sunduarit janë veçse numra që duhen për vota dhe për t’u ftuar në ta kur retorikës politike i duhet “përkrahja e popullit” dhe “legjitimiteti demokratik”.

You may also like

FOTOLAJM: Viçi shijon shëtitje në makinë!

Një veturë e tipit Opel Zafira, është hasur