Mes muzikës popullore, valleve dhe daulleve kryeministri Edi Rama ka përuruar hapjen e Rrugës së Arbrit. Ashtu siç e kishte deklaruar edhe më herët rruga do të hapej në Ditën e Çlirimit.
Kreu i qeverisë nuk ka mbajtur një fjalim si zakonisht kur përuron vepra të tilla, por thjesht ka zgjedhur të bëjë disa foto me fëmijët dhe banorët e zonës. Ndërsa në Facebook ai ka bërë vetëm këtë sqarim: “Hapet për qarkullim Rruga e Arbërit. Provizorisht kalohet me bajpas në Tunelin e Murrizit, ku për shkak të formacioneve gjeologjike komplekse, puna ka ecur më ngadalë dhe përfundon në pranverë, kur rruga do të bëhet për vetëm 47 minuta, nga 1 orë e 20 minuta që bëhet sot ose nga 4 orë që bëhej deri dje”
I shoqëruar nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Rama ka përshkuar në këmbë një pjesë rruge brenda në tunel.
Kujtojmë që rruga e Arbrit lidh Tiranën me Dibrën. Ajo nuk ka përfunduar ende, pasi kontrata është në fund të prillit 2022 dhe qeveria shpreson që brenda këtij afati gjithcka të jetë e përfunduar totalisht.
Rruga do të jetë e hapur për qarkullimin e automjeteve, por duke treguar kujdes në lëvizje, pasi drejtuesit e mjeteve duhet të respektojnë sinjalistikën.
Ky aks do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim dhe do të shkurtojë ndjeshëm rrugën nga Tirana për në Dibër.
Rruga kalon në Qarkun e Tiranës – në Njësinë Administrative të Zall-Bastarit dhe nëpërmjet tunelit të Murrizit, rruga kalon në territorin e bashkisë Klos e konkretisht në fshatrat Drezës, Xibër, Shkallë, fshati Fshat. Pas daljes nga tuneli i Qafë-Buallit rruga kalon në afërsi të urës së Cerenecit, si dhe në të djathtë të fshatit Shupenzë.