Argjentina ashtu sikurse Brazili e mbyll fazën e grupeve të Copa America në vendin e parë, me 10 pikë. Përfaqësuesja bardhekaltër e pati si shëtitje sfidën me Bolivinë, të cilën e mposhti thellë 4-1 në “Arena Pantana” të Cuiabas, ku Lionel Messi ishte protagonist i mbrëmjes me dy gola dhe një asist. Lionel Messi futet në histori si lojtari me më shumë ndeshje, 148, me kombëtaren e tij.
Në fakt kjo përballje praktikisht u mbyll që në pjesën e parë me golat e Alejandro Gomezit, që u shërbye nga Messi, dhe dy finalizimet radhazi të “Pleshtit”: i pari me 11-metërsh në të 33-tën dhe i dyti paka para se të mbyllej pjesa e pare, pas pasimit të marrë nga Aguero.
Në minutën e 60-të, Bolivia gjeti golin e nderit me Saavedran, ndërsa llogaritë në këtë takim i mbylli Lautaro Martinez pesë minuta më vonë me golin e rezultatit përfundimtar 4-1. Në fakt, Bolivia ishte eliminua para raundit të katërt të ndeshjeve, pasi në tri sfidat e para nuk kishte grumbulluar qoftë një pikë.
Në takimin tjetër, Uruguai mposhti minimalisht Paraguain me gol të Edinson Cavanit në minutën e 21-të. Skuadra e drejtuar nga trajneri veteran Tabares e mbyll fazën e grupeve në vendin e dytë me 7 pikë, një më shumë se Paraguai.
Tashmë janë përcaktuar edhe çiftet çerekfinaliste të Copa Americas. Brazili do të përballet me Kilin, Argjentina me Ekuadorin, Uruguai me Kolumbinë dhe Paraguai me Perunë./SS