Ia mësoi shkronjat, numrat e poezitë e para, e kur flet për të, mallëngjehet shumë, përcjell KosovaPost.
Nostalgji, krenari e emocione edhe kur e shesh në ekran.
E ka shumë përzemër, e thotë se ishte më i mirë në 7 gjeneratat që kaluan në duart e tij.
Mësuesi 85 vjeç, Hamdi Salihu, nga fshati Kojskë i Lipjanit, rrëfeu, periudhën kur Glauk Konjufca, tashmë Kryetar i Kuvendit të Kosovës, ishte nxënës i tij.
Për të ka vetëm fjalë të mira. Thotë se Glauku do të mbetet i pazëvendësueshëm.
“Glaukun e ka bërë të veçantë shumë sjellja e mirë dhe respekti. Ai ka qenë shumë njeri i dëgjueshëm, i moralshëm dhe i respektuar çdo herë. Ai e ka kryer detyrën me plotë vullnet ka qenë djalë me të gjitha cilësitë që shumë pak njerëz munden me i marrë ato cilësi, e kujtoj shumë me mall nxënësin tim të pazëvendësueshëm”, tha Salihu për Front Online.
Aq shumë e vlerëson dhe e dallon nga nxënësit e tjerë.
Derisa rrëfen për atë kohë, mësuesi Hamdi thotë se Glauku ishte “gjeniu i vogël”.
“Glauku ka qenë shumë nxënës i mirë, por edhe shumë i veçantë. Ka qenë fëmijë por i quajtur një gjeni i vogël. Kur kam qenë duke e zhvilluar orën mësimore unë nuk e kam pyetur Glaukun, por ai e ngrite dorën dhe donte të përgjigjej pa e pyetur atë sepse unë çdo herë çfarë kam pyetur para shokëve të tij të klasës ai ka qenë gjithmonë i pari për t’u përgjigjur. Glauku ka qenë nxënësi më i mirë jo vetëm në klasë, por në tërë fshatin “Llugaxhi” ku kam mësuar 7 gjenerata”, shtoi ai.
Mësuesi i parë i Glauk Konjufcës: Ka qenë fëmijë shembullorë, ashtu si babai i tij Sherifi
Njëri ndër nxënësit e mësuesit Hamdi Salihu ishte edhe babai i Glaukut, Sherif Konjufca.
“Edhe babai i Glaukut ka qenë nxënësi im, gjithashtu edhe ai ka qenë një nxënës i shkëlqyeshëm pa asnjë gabim dhe shumë i sjellshëm dhe i edukuar si fëmijë. Ai ka pasur kulturë, edukatë të paparë dhe këto gjëra Glauku pa dyshim që i ka mësuar nga babai i tij i shkëlqyeshëm”, rrëfen Salihu për Front Online.
Thotë se gjithmonë ka qenë shembull për të gjithë klasën me nota shembullore.
Glauku ulej në bankën e parë sepse, siç thotë mësuesi i tij, ishte gjithmonë i interesuar për mësim.
“Ai është ulur gjithmonë në bankën e parë se ka qenë shumë i interesuar për mësimin dhe shumë i mençur. Notat e tij gjithmonë kanë qenë të shkëlqyeshme, shembull ju ka dhënë të gjithëve në klasë. Ai gjithmonë ka kaluar mësimin me nota 5, shembullorë ka qenë”, është shprehur Salihu për Front Online.
Mësuesi i parë i Konjufcës: Po e zbukuron Kuvendin, i kanë “hije” shakatë që po i bënë
Kur në ekran shfaqet kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mësuesi i tij, Hamdi Salihu thotë se nuk ka dëshirë ta shoh asnjë program tjetër.
Thotë se mallëngjehet shumë kur e sheh.
Ka shumë dëshirë t’ia dëgjoj zërin.
E për të ndihen shumë krenar.
“Kur po e shoh në krye të Kuvendin po më duket si mallëngjim, shumë po mallëngjehem. Për të kam dëshirë çdo herë me pa me ja dëgjuar zërin. Jam shumë krenar tepër krenar për të, kur po e shoh se unë ja kam dhënë hapat e parë fillimin e diturisë. Kur po e shoh Glaukun në Parlament nuk po kam dëshirë të shoh ndonjë program tjetër deri të përfundon ai të gjithë punën”, përfundoi ai.
Atij po i pëlqejnë shumë edhe shakatë që po i bënë Glauku derisa po e udhëheqë seancën e Kuvendit.
Thotë se si fëmijë nuk ishte shakaxhi, por po i kanë “hije” shumë.
“Ai si nxënës ka qenë i urtë jo shakaxhi, por tani në Kuvend po i kanë hije shakat që po i bënë ndonjë herë po e zbukuron vendin kur po paraqitet në krye të Kuvendit”, tha Hamdi Salihu.
A e vizitoi ndonjëherë Glauk Konjufca? Flet mësuesi i parë i tij, Hamdi Salihu
Vizita e Glauk Konjufcës për “Ditën e Mësuesit”, ka qenë një ditë e pa harruar për mësuesin e tij.
Salihu tha se deri të vdesë nuk do ta harroj vizitën e tij.
Aq shumë i ka pëlqyer dhurata e tij, saqë librin që e mori nga Glauku e lexoi 3 herë.