Kosova dhe Maqedonia e Veriut nesër do të mbajnë mbledhje të përbashkët ndërqeveritare, përcjell KosovaPost.
Me anë të një statusi në Facebook, zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti shkruan se bashkëpunimi ndërshtetëror në mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës forcohet gjithnjë, ndaj dhe në takim do të diskutohen tema me rëndësi për të dy vendet.
“Të hënën, Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të udhëtojë në Kosovë për mbledhjen e parë të përbashkët ndërqeveritare që nga krijimi i Qeverisë së re. Ky takim, përpos pjesës protokolare dhe agjendës së harmonizuar mes dy qeverive rreth çështjeve për të cilat do të diskutohet dhe marrëveshjeve që do të nënshkruhen, paraqet edhe vazhdimësinë e përkushtimit tonë për të forcuar bashkëpunimin rajonal, dhe për ta trajtuar Republikën e Kosovës si partner të barabartë në të gjitha nismat dhe akvititetet rajonale.”, ka shkruar ai.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut zbarkon në Prishtinë me një qasje proaktive dhe interes të sinqertë për të trajtuar të gjitha çështjet me interes për dy vendet tona. Pavarësisht problemeve të cilat Qeveria e re i ka trashëguar nga qeveritë e kaluara, pavarësisht tendencave të orkestruara për ta fajësuar Qeverinë e re për secilin dështim të lënë në trashëgimi nga e kaluara, fryma e bashkëpunimit ndërshtetëror do të forcohet dhe besimi i ndërsjellë mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të rritet në vazhdimësi dhe do të ndërtohet, sepse ky është obligimi jonë i përbashkët përpara qytetarëve tanë.”, shtoi ai.
“Partnerët tanë politikë, miqtë dhe të gjithë aktorët tjerë shoqërorë në Republikën e Kosovës dua t’i informoj se Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e vendosur dhe e palëkundur që të punojë që Ballkani perëndimor të transofrmohet në një regjion të zhvilluar dhe integruar me institucione e shërbime moderne dhe me garantim të lirisë së shprehjes, lirisë së lëvizjes dhe lirisë së organizimit për secilin individ apo grupacion, pavarësisht përkatësisë së tyre”, ka shkruar zëvendëskryeminsitri i parë Izet Mexhiti.