Mimoza Kusari Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e ka kritikuar minishengenin ballkanik. Open Balkan, sipas saj, synon të ndërtohet mbi parimin e superioritetit të Serbisë, shkruan Kosova Post.
Ajo këto komente i bëri sot gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.
“Për të gjithë ata që sot mundohen ta arsyetojnë një ide në qendër të së cilës është Serbia, e cila u mohon qytetarëve të saj vetëm se janë shqiptarë të drejtën e jetesës në atë shtet, e njëjta Serbia e cila në vazhdimësi cenon dhe pengon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, dhe po kjo Serbi e cila blen armë dhe dron nga Rusia e mohon gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë” – ka thënë ndër të tjera ajo.
Sipas kusarit, është e çuditshme se si pikërisht kjo Serbi po e ushqen idenë për Ballkanin e Hapur.
“…këtu në këtë mes nuk janë dy botë paralele siç po e theksojnë ata që e duan minishengenin me Serbinë në qendër dhe e krijojnë Kosovën, këtu është një realitet i qartë dhe një shtet që shkel të drejtat e shqiptarëve brenda dhe jashtë saj , një iluzion se është gjendur çelësi i problemit të Ballkanit, dhe një kullë prej letre e cila do të rrëzohet nga fryma e parë hegjemoniste serbe.”
Debati është duke vijuar, ndërsa radha është për pyetjet jashtë rendit të ditës./KosovaPost/