Kryeministri edi Rama këtë të mërkurë në kuadër të Forumit Ekonomik apo i njohur ndryshe si Mini Shengeni, ndodhet në Shkup.
Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë pritur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ndërkaq së bashku me Zaev në tryezën e diskutimit është edhe i pari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Takimi që vjen një ditë para Forumit Ekonomik që do të mbahet në Shkup, është realizuar në formatin jozyrtar në njërin nga restorantet që gjendet në Sheshin “Maqedonia” në Shkup.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, bëri me dije se do të ndryshohet emri i ri i nismës që deri më sot e njohim si minishengeni, por është kontestuar deri tani nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk ka marrë pjesë në asnjë takim.
Për këtë emër kanë qenë skeptikë edhe Bosnja e Mali i Zi pasi disa herë i janë bashkuar tryezave të mëparshme.
“Janë disa vendime, marrëveshje për tu nënshkruar, është dhe një Forum Ekonomik me komunitetin e biznesit dhe vazhdojmë punën”, ka thënë Rama.
Ai ka treguar pse do i ndërrohet emri kësaj iniciative.
“Shengeni Rajonal është vetëm korniza e një formule që është formula e BE, pra korniza e katër lirive të BE, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, e shërbimeve dhe kapitalit. Duke qenë se shumëkush është kapur pas këtij emri dhe është menduar që të ketë një emër tjetër thjesht si nisëm, unë mendoj se kush do të kapet me emrin, do të kapet prap me emrin, nuk është se do të zgjidhet gjë nga kjo anë”, ka thënë ai.
Edhe presidenti serb, ka folur për ndryshimin e emrit të kësaj iniciative rajonale.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se emri i ri i nismës rajonale, i cili deri më tani njihej si “Mini-Shengen”, do të shpallet sot.