Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, iu është përgjigjur pyetjeve të deputetit Armend Zemaj në seancën e sotme të Kuvendit lidhur me stagnimin e ndërtimit të stadiumit “Mustaf Çekaj” në Irzniq të Deçanit.
Çeku ka thënë se stadiumi është procesuar me projekt të mangët.
“Kontrata ka precizuar afat prej 150 ditësh për përfundimin e punimeve, operatori i përzgjedhur as nuk kishte nënshkruar planin e menaxhimit të kontratës e as nuk kishte nisur me dinamikë të duhur të punëve në terren”, ka deklaruar i pari i sportit.
Ai ka njoftuar se do të bëhet shkëputje e kontratës dhe tash e tutje procedurat e ndërtimeve dhe ndërhyrjeve në stadiumet e vendit do të bëhen në tjetër formë.
“Vazhdimi i punës në këtë stadium dhe stadiumet në gjithë Kosovën po rregullohet me planin e konsolidimit të infrastrukturës së futbollit me grup profesional e me bashkëpunim me të gjitha nivelet”, ka deklaruar Çeku.