Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Igli Hasani ka deklaruar nga Kuvendi i Shqipërisë se sulmi i grupeve terroriste serbe në veri të Kosovës është një kërcënim për vetë Evropën.
“Sulmi është një kërcënim serioz për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë me pasoja direkte për Evropën tonë të përbashkët.
Vrasja e një polici në krye të detyrës e bën më të dhimbshëm dhe më tragjik këtë akt agresioni.
Mbështetja dhe solidariteti ynë shkon për popullin dhe shtetin e Kosovës që sot po përballen me tentativa të rrezikshme për të destabilizuar Republikën e Kosovës.
Ai bëri apel që autorët dhe organizatorët e këtij sulmi të vendosen përpara drejtësisë për mos lejuar përshkallëzimin e situatës.
“Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të nxirren sa më shpejt përpara drejtësisë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të situatës me pasoja të pakthyeshme.
Qetësimi dhe de-përshkallëzimi i situatës tani është kyç dhe e vetmja rrugë përpara. Duke shpallur ditë zie për agresorët Beogradi zgjodhi t’i fryjë zjarrit të një konflikti të armatosur”, theksoi Hasani.