Teksa vazhdonte seanca e Kuvendit të Kosovës, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me situatën me pandeminë tha se të gjitha vendimet për masat vijnë pas diskutimeve me ekspertë shëndetësorë, përcjell KosovaPost.
Latifi përmendi se në të dhënat e ditës së djeshme, janë evidentuar mbi 130 mjekë dhe 160 infermierë të infektuar me Covid-19.
Ndër të tjerash, ai theksoi se ata kanë marrë vendim që të shkurtojnë afatin e kthimit në punë për punëtorët shëndetësorë, të cilët sipas tij,do të kthehen në punë në ditën e pestë pas infektimit me virus nëse nuk kanë simptoma.
“Sipas të dhënave të djeshme ne kemi pasur mbi 130 mjekë dhe 160 infermierë të infektuar. Por në bazë të evidencave shkencore me ‘Omicron’ dhe praktikave të menaxhimit që fillojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne e kemi shkurtuar afatin e kthimit në punë me pesë ditë nëse janë pa simptoma klinike”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se ashpërsimi i masave vjen pas balancimit të situatës epidemiologjike në vend dhe rajon, rasteve të vdekjes dhe numrit të punëtorëve shëndetësorë të infektuar me Covid.
“Të gjitha vendimet që i marrim, ashtu siç edhe u diskutua më parë, për çfarëdo masa mbrojtëse dhe parandaluese janë rezultat i diskutimeve të gjata të shpeshta me profesionistët shëndetësorë dhe në bazë shkencore nga IKShPK-ja, Komitetin për vlerësim dhe parandalimin e pandemisë, dhe grupin këshillëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë me të cilët përfaqësohen të gjithë hisedarët e mundshëm të dikastereve të ndryshme të shtetet tona”, ka deklaruar ai.
Vlen të përmendet se Latifi përmendi Kosovën, duke thënë se gjendet në një gjendje shumë të keqe, por në njërën anë ai tha se për nga numri i testimeve, Kosova është rënditur në vendin e dytë, ku më mirë qëndron vetëm Sllovenia.