Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në Facebook e ka komentuar miratimin e Projektligjit për Komisionarin Parlamentar të FSK-së, përcjell KosovaPost.
“Ky projektligj rregullon themelimin e Institucionit të Komisionarit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili ka për qëllim fuqizimin e kontrollit parlamentar dhe sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personelit të FSK-së, ka shkruar Ministri Mehaj.
Postimi i plotë:
Edhe një sukses i radhës së institucioneve tona shtetërore në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kaloi edhe në lexim të dytë, respektivisht u miratua Projektligji për Komisionarin Parlamentar të FSK-së.
Ky projektligj rregullon themelimin e Institucionit të Komisionarit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili ka për qëllim fuqizimin e kontrollit parlamentar dhe sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personelit të FSK-së.
Komisionari Parlamentar i FSK-së ndihmon në ushtrimin e kontrollit demokratik mbi sektorin e mbrojtjes për të siguruar respektimin e shtetit të së drejtës në FSK, promovon transparencën dhe përgjegjshmërinë në strukturat e mbrojtjes, rritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të sektorit të mbrojtjes, si dhe forcimin e besimit në ushtri si nga ana e personelit ushtarak ashtu edhe atij të sektorit publik.
Mirënjohje dhe falënderim të gjithë deputetëve e posaqërisht bartësve të këtij projekti- anëtarëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Shumë urime për gjithë ushtarakët e FSK-së!