Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me rritjen e mbështetjes përmes subvencioneve dhe granteve synon stimulimin dhe rritjen e cilësisë së prodhimit dhe përpunimit bujqësor në të gjithë vendin.
Kështu është shprehur Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci gjatë vizitës që i ka bërë sot qendrës grumbulluese për pemë e perime “Agro Celina”, në fshatin Xërxë të Komunës së Rahovecit, vizitë kjo që vjen pas rritjes së përkrahjes 100% për perimtarë që kultivojnë perime në sera dhe 85% për perimtarët që kultivojnë në fushë të hapur. Gjatë kësaj vizite, Ministri Peci i ka njoftuar ata me masat e reja mbështetëse në kuadër të programeve të këtij viti.
“Gjatë mandatit tim si Ministër i Bujqësisë do të përkushtohem maksimalisht që Programi për Pagesa Direkte dhe Programi për Zhvillim Rural, ta plotësojnë njëri-tjetrin, duke krijuar kështu një zinxhir vlere të qëndrueshëm, duke ndjekur rrugëtimin e produktit nga toka në tryezë, duke luftuar informalitetin dhe duke asistuar në sigurimin e tregjeve për prodhimet bujqësore”, theksoi Ministri Peci./arbresh.info/