Në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin, ministri i Bujqësisë Faton Peci zhvilloi një takim multilateral me ministrin Federal të Ushqimit dhe Bujqësisë së Gjermanisë, Cem Ozdemir, ministren e Bujqësisë së Shqipërisë, Frida Krifca dhe ministrin e Bujqësisë të Maqedonisë së Veriut Lupço Nikolovski.
Ky takim u zhvillua në margjinat e Konferencës Ministrore “Të bashkuar për Sigurinë globale ushqimore” të G7 në Berlin, ku po adresohet shqetësimi global mbi sigurinë ushqimore për shkak të agresionit rus në Ukrainë, si dhe rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore, gazit, naftës e të ngjashme.
“Ministri Peci theksoi rëndësinë e mbështetjes së Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e bujqësisë, e konkretisht Kosovës, që në një të ardhme të afërt të na ofrohet qasja direkte në fondet e para-anëtarësimit IPARD”, njofton zyra për informim e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Bëhet e ditur se ministri Peci e njoftoi ministrin Ozdemir për hapat e ndërmarrë për rritjen e përkrahjes për bujqit kosovarë përmes programeve mbështetëse, duke ndikuar kështu në përmirësimin dhe ngritjen e kapaciteteve prodhuese e përpunuese të bujqve vendorë.