Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar ndaj deklaratës së deputetes së PDK-së, Floretë Zejnullahu në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku tha se familja e presidentes Osmani po e trajton Kosovën si monarki dhe se të njëjtit marrin rreth 33 paga minimale për një muaj.
Ministri Peci tha se është për t’u habitur sesi është bërë diskurs i akuzës paga që i takon me ligj presidentes.
“Është pak habitëse se qysh ka filluar me u bo diskurs i akuzës paga që i takon presidentes e që është pagë që i takon me ligj. Çdo pagë që i takon me ligj që është publike, as nuk përbënë shkelje e as krim, për dallim nga presidentët tjerë të cilët jo vetëm që i kanë shfrytëzuar pagat dhe askush nuk i ka akuzu, ne jemi dëshmitarë që po ngritën aktakuza sesi ish-presidenti prej nga vjen partia e zonjës në fjalë i ka shfrytëzu edhe milionat për me lobu për ndarjen e Kosovës, dhe ky është absurditet i llojit të vet”, tha Peci.
Ai akuzoi PDK-në se është ajo parti e cila ka instaluar krimin dhe korrupsionin për dekada të tëra.
“Unë jam ministër i bujqësisë dhe çdo veprim që po e marr në aspekt të reformës po e shoh krimin dhe korrupsionin që e ka instaluar PDK-ja me dekada në atë institucion. Nëse dikush më së paku ka të drejtë morale me diskutu për krimin dhe korrupsionin është PDK-ja”, u shpreh Peci. /Telegrafi/