Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi ka thënë se me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka pasur një takim të frytshëm.
Peleshi theksoi para mediave se Mehajt i ka uruar punë të mbarë, e po ashtu Qeverisë Kurti.
“Jemi të gëzuar sa herë që vijmë në Kosovën, është vendi i vëllezërve tanë, i shqiptarëve. Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet mbështetëse e pakursyer e të gjitha proceseve integruese të Kosovës. Ne kemi përshkruar rrugën që Kosova synon, ne kemi ndarë eksperiencën drejt NATO-s”, tha ai.
Gjithashtu, ministri Peleshi foli edhe për “Defender Europe 2021” stërvitjen e NATO-s që është duke u zhvilluar në Durrës.
“Stërvitja Defender 2021. Shqipëria ka fatin të jetë mikpritëse, ku do të jenë 28 mijë trupa. Mijëra trupa amerikane dhe të NATO-së po stërviten së bashku me forcat e Shqipërisë, është mundësi e mirë të tregojmë aftësitë tona”, pohoi Peleshi.
Ministri u shpreh i kënaqur me arritjen e marrëveshjes me ministrin Mehaj sa i përket fushës së sigurisë.
Ministri Mehaj përmes një prononcimi për media tha se kanë biseduar për krijimin e bazës ligjore për aktivitete e tyre të përbashkëta ushtarake.
“Si dy vende vëllezër diskutuam për interesat e përbashkëta të dy vendeve. Roli i Ministrisë së Mbrojtjes është shumë i rëndësishëm. Sfidat në mjedisin tonë të sigurisë janë të ngjashme. Sot vlerësuam lart marrëdhëniet vëllazërore për t’i ngritur në një nivel më të lartë. …krijimin e bazës ligjore të aktiviteteve tona të larta ushtarake”, ka thënë Mehaj.
Ministri Mehaj gjithashtu theksoi se në marrëveshjen e nënshkruar është përfshirë po ashtu dhe integrimi i Kosovës në NATO dhe në rajon.
Ai po ashtu tha se qëllimi i kësaj ministrie është që të marrin pjesë edhe në operacione tjera jashtë vendit./Telegrafi/