Ministria e Kulturës mbështet 22 organizata rinore

Ministria e Kulturës mbështet 22 organizata rinore

Njëzet e dy organizata rinore përfitojnë projektet për edukim jo formal nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, raporton Kosova Post.

Në një ceremoni rasti sot është bërë nënshkrimi i kontratave dhe shpërndarja për të rinjtë nga komunat e ndryshme të Kosovës.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi duke folur për rëndësin e këtyre projekteve tha se duhet t’i japim prioritet të rinjëve që janë potenciali me i çmuar i shtetit të Kosovës.

“Sot bashkë jemi këtu për të nënshkruar kontratat me 22 organizata të shoqërisë civile me qëllim të implementimit të projektit të edukimit joformal. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që puna dhe përkushtimi ynë të shkojë në disa drejtime, dhe interes i joni është që programin tonë ta implementojmë bashkë me shoqërinë civile. Ajo që është me rëndësi është implementimi i projekteve”, tha Gashi.

Ministri Gashi bëri të ditur se këto projekte kanë qëllime të ndryshme, ekonomik, kulturor dhe në aspektin social.

“Ne jemi të interesuar që projektet që jemi duke i mbështetur financiarisht t’i implementojmë në tërësi dhe përfitues të jenë të rinjtë. Këto projekte kanë disa qëllime, duke filluar nga qëllimi ekonomik, kulturor dhe në aspektin social”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, Vegim Hoti, nga organizata joqeveritare rinore “Upria”, tha se mbështetje e Ministrisë së Kulturës ndihmon në fuqizimin e këtyre organizatave.

“Faleminderit për mbështetjen nga Ministria e Kulturës që na kanë qëndruar afër në këtë proces. Këtë vit me Ministrinë e Kulturës e kemi shënuar një hap të madh për mbështetjen dhe komunikimin”, tha Hoti.

Kurse, Blerina Ukshini, nga D4D, u shpreh se ky financim është mjaftë i rëndësishëm për këto organizata.

“Është hera e tretë që kemi mbështetje nga Ministria e Kulturës. Është një hap shumë i mirë për ne, sepse jo shumë shpesh kemi raste të takohemi në takime të tilla”.

Endrit Dibrani, nga organizata Debate Center, tha se zotohen që do t’i përmbushin obligimet e dala nga këto kontrata.

“Ne zotohemi që do ta përmbushim 100% që po na udhëzoni dhe do t’i implementojmë projektet”, tha Dibrani, raporton Kosova Post.