Ministria e Mbrojtjes e Kosovës përmes një sërë aktivitetesh ka shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve, transmeton KosovaPost.
Njësiti i Kërkim-Shpëtimit të FSK-së me këtë rast shkëmbeu përvojën e njohuritë me fëmijët asamblistë të Komunës së Prishtinës.
“Me këtë rast, fëmijëve iu ofruan, njohuritë bazike për kërkim-shpëtim, ndihmë të parë në rast lëndimi në një ambient malor, por edhe kujdesi që duhet treguar ndaj natyrës, pasi janë i vetmi burim që krijon kushte për zhvillimin e jetesës në tokë, e këtë fakt shpesh duket se e harrojmë”, shkruan ministri Armend Mehaj në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se që nga marrja e detyrës, ka krijuar konceptin e lëndës së mbrojtjes dhe sigurisë, për futjen në plan-programin mësimor në shkolla, projekt i cili së shpejti do të finalizohet.
“Është jetike që të mësojmë gjeneratat e reja me mendësinë e kujdesit ndaj natyrës. Përdorimi i menaxhuar i burimeve të pyjeve është krucial për të luftuar ndryshimet klimatike, dhe për të kontribuar në mirëqenien e gjeneratave të ardhshme. Vetëm kështu mund të arrijmë të përmbushim Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, ka shtuar Mehaj.
Postimi i plotë:
Sot me aktivitete të organizuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe Njësiti i Kërkim-Shpëtimit u shënua Dita Ndërkombëtare e Maleve.
Aktiviteti i sotëm kishte për qëllim theksimin e rëndësisë së pyjeve në jetën e njeriut nëpërmjet të mësuarit të njohurive bazike të kërkim-shpëtimit, ndihmës së parë, mbijetesës në një vend pyjor që është miqësor me njeriun poaq sa jemi ne me të.
Njësiti i Kërkim-Shpëtimit të FSK-së që është vlerësuar në shumë misione rajonale e evropiane, sot shkëmbeu përvojën e njohuritë me fëmijët asambleistë të Komunës së Prishtinës.
Me këtë rast, fëmijëve iu ofruan, njohuritë bazike për kërkim-shpëtim, ndihmë të parë në rast lëndimi në një ambient malor, por edhe kujdesi që duhet treguar ndaj natyrës, pasi janë i vetmi burim që krijon kushte për zhvillimin e jetesës në tokë, e këtë fakt shpesh duket se e harrojmë.
Që nga fillimi i marrjes së detyrës së Ministrit të Mbrojtjes, kam krijuar konceptin e lëndës së mbrojtjes dhe sigurisë, për futjen në planprogramin mësimor në shkolla tona, projekt i cili së shpejti do të finalizohet.
Kur pijmë një gotë ujë, shkruajmë në letër, marrim medikamente për temperaturë ose ndërtojmë shtëpi, jo gjithmonë bëjmë lidhjen me pyjet. Dhe prapë në këtë mënyrë ose forma të tjera, jeta jonë është e lidhur me pyjet, me gjelbërimin.
Përdorimi i menaxhuar i burimeve të pyjeve është krucial për të luftuar ndryshimet klimatike, dhe për të kontribuar në prosperitetin dhe mirëqenien e gjeneratave të ardhshme.
Vetëm kështu mund të arrijmë të përmbushim Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs).
Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto përfitime të paçmueshme ekologjike, ekonomike, sociale dhe shëndetësore, shpyllëzimi global vazhdon me një shkallë alarmante.
Është jetike që të konsumohet dhe prodhohet druri, në një mënyrë më miqësore me mjedisin për planetin dhe banorët e tij.
Është jetike që të mësojmë gjeneratat e reja me mendësinë e kujdesit ndaj natyrës.
Le ta mbrojmë këtë burim lehtësisht të rinovueshëm me një menaxhim të qëndrueshëm të pyjeve!